Mbrëmjen e sotme në Byro Politike me gazetaren Juli Xhokaxhi kanë qenë të ftuar: Andi Bejtja analist dhe gazetar, Alfred Peza deputet i PS, Arion Sulo gazetar, Arben Pëllumbi deputet i PS. Të ftuarit kanë diskutuar në lidhje me nismën më të fundit që ka ndërmarrë Partia Socialiste për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta por edhe për nevojën e një dialogu në zgjidhjen e krizës politike që ka krijuar kaos mes institucioneve dhe aktorëve politikë. Të pyetur nga gazetarja Juli Xhokaxhi se cila do të ishte rruga që do të linte palët të kënaqura të ftuarit ndanë opinionin e tyre.
Për analistin Andi Bejtja situata aktuale është një moment reflektimi për politikën shqiptare. Sipas Bejtes nëse palët ulen për dialog, nuk do të dalin 100 % të kënaqura por që gjithsesi, kjo është e nevojshme pasi në rast të kundërt, vendi shkon në përplasje civile. Bejtja tha se Rama filloi “dishezën” që kur mori 74 votat dhe se ka 2 vjet që nuk qeveris dhe kjo duket nga investimet.
“Në politikë po u ule në dialog nuk dalin 100 % të kënaqur por që palët duhet të ulen në dialog ndryshe shkojmë në përplasje civile. Po bindem që Rama do ti marrë të gjitha. Po ta vini re Rama filloi dishezën që kur mori 74 votat. Ka dy vjet që nuk qeveris”, tha Bejtja.
Për deputetin e Partisë Socialiste Alfred Peza, Partia Demokratike nuk do dialog por kërkon marrjen e pushtetit me dhunë. Peza tha se zgjedhjet e 30 qershorit nuk dialogohen nga Partia Socialiste, ndërkohë që shprehet e hapur për dialog pa kushte edhe për të ndryshuar sistemin zgjedhor pas 30 qershorit. Për sa i përket shkarkimit të presidentit Meta, Peza tha që nisma e Partisë Socialiste për shkarkimin e presidentit, është legjitime, pasi presidenti ka kryer shkelje të rëndë kushtetuese.
“Udhëheqësi historik Sali Berisha ka thënë që o ikën Rama o shkrihet opozita. Ata nuk duan as dialog në tavolinë, as të shkojnë në zgjedhje, këta thonë të ikë Rama të vijë Luli. Ne Ilir Metës nuk i dhamë votën që të kthejë kushtetutën, ne i dhamë votën që të bëj detyrën. Zgjedhjet do bëhen në 30 qershor, sepse asnjë shqiptar nuk merr përsipër, të zgjidhë hallin e Monikës, Lulit apo të tjerëve. PS është e vendosur të nisë shkarkimin e presidentit. Zgjidhja padiskutim është dialogu”, tha Peza.
Gazetari Arion Sulo tha se shumica e shqiptarëve janë të pakënaqur nga qeverisja. Sipas tij korrupsioni është më i lartë dhe shqiptarët janë më të varfër. Sulo tha se qeverisja e PS është kapur në flagrancë në vjedhjen e votave dhe gjithashtu zgjedhjet në 30 qershor nuk duhet të bëhen.
“Shumica e shqiptarëve janë të pakënaqur nga qeverisja, korrupsioni është më i lartë se më parë, krimi më i lartë, flasin raportet. Shqiptarët janë më të varfër. Mazhoranca është kapur duke vjedhur në flagrancë. Radikaliteti i Bashës që nuk ulet në dialog e dëmtojnë atë vetë. 30 qershori ka rënë”, tha ai.
Ndërsa për deputetin e PS Arben Pëllumbi, opozita është duke krijuar precedentin e “mimoza llasticës” kështu që 30 qershori nuk negociohet. Pëllumbi tha se në 30 qershor votimet do të jenë të qeta, pasi edhe elektorati është i qetë dhe se vendi nuk është duke u destabilizuar.
“Ju garantoj që elektorati është i qetë dhe 30 qershori do jetë i qetë, ne jemi të hapur për të diskutuar pa kushte për më tej por 30 qershori nuk negociohet. Vendi nuk është duke u destabilizuar”, tha Pëllumbi./abcnews.al