Çdekretimi i datës së zgjedhjeve, a mund ta zhbllokojë situatën Gjykata Administrative?

schedule19:03 - 10 Qershor, 2019

schedule 19:03 - 10 Qershor, 2019

Enkelejd Alibeaj ka sqaruar këtë të hënë se Gjykata Administrative nuk mund të zhbllokojë situatën që është krijuar pas çdekretimit të datës së zgjedhjeve nga ana e Presidentit. Sipas tij, një dekret i presidentit mund të shqyrtohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese, të cilën nuk e kemi.

Enkelejd Alibeaj: Ky akt është akt i natyrës politike. Caktimi i datës së zgjedhjeve është një pushtet publik që i jepet Presidentit. Ka vetëm një mënyrë që një akt i natyrës politike i Presidentit të mund të sfidohet në Gjykatën Kushtetuese. Atëherë kur ky akt politik krijon një mosmarrëveshje kompetence me aktin e një organi tjetër që është një pushtet tjetër, parlamentit, qeverisë, apo një pushtet tjetër kushtetuese. Mosmarrëveshja e kompetencës në këtë rast zgjidhet në Gjykatën Kushtetuese, fatkeqësisht që nuk e kemi.

Mirela Milori: Nuk i kalon Administratives sipas jush?

Enkelejd Alibeaj: Nuk i kalon. Ky është një teknikalitet. Gjatë reformës në drejtësi edhe një ligj duhet të miratohej atë kohë, ishte ligji për Presidentin e Republikës. E kanë harruar. Nëse do kishte një ligj për Presidentin e Republikës do të përcaktonte mënyrën si shkojnë dekretet, çfarë vlere kanë, do ishte një rrugë e zgjidhur.

Ndërkohë më tej gjatë rubrikës “Mbëmje ABC” me Mirela Milorin, Alibeaj komentoi edhe deklaratat e anëtarëve të KQZ-së. Sipas tij, Presidenti është organ me autoritetet më të madh se KQZ. Nëse nuk respektohet dekreti i kreut të shtetit ky është uzurpim i kompetencave të Presidentit dhe Gjykatës Kushtetuese.

“Çështjet juridike janë të vështira. Presidenti i Republikës ka nxjerrë një akt të vetin, dekret. Pastaj na qenka KQZ që dikur ka qenë organ kushtetuese, por sot është organ ligjor, që për nga pesha, për nga autoriteti nuk qëndron në të njëjtin nivel me Presidentin. Ka marrë guximin që për vendimin e një organi epror, të presidentit të thotë unë nuk e marr parasysh. Ky është një uzurpim flagrant i kompetencave të Presidentit të  Presidentit po e po, por edhe dhe Gjykatës Kushtetuese. Një akt siç është ky për vendosjen e datës së zgjedhjeve, është Gjykata Kushtetuese ajo që mund ta shqyrtojë”, tha Alibeaj./abcnews.al