Besmir Semanaj, ekspert në fushën e informacionit dhe të sigurisë, në emisionin ‘Open’, ku po diskutohet për sulmet kibernetike, u shpreh se kthimi në kohë rekord i sistemit në punë është një nga gabimet teknike që është bërë nga institucionet shqiptare.
Sipas tij ka shumë mundësi që back up-et kanë qenë të virusuara.
“Tani jemi shumë vonë se hakerat janë tërhequr. Nuk jemi nën sulm, është thjeshtë vazhdimi i sulmit që kanë nisur 14 muaj më parë. Zoti Rama dhe ministri trumbetuan kthimin ne punë në rekord të sistemit, dhe ky është gabimi teknik që është bërë pranë institucioneve shqiptare.
Duke pasur parasysh që hakerat kanë qenë 14 muaj në sisteme dhe këta sisteme janë kthyer nga backupet me një mundësi shumë të lartë, i bie që backupet kanë qenë të virusuara.
Në momentin që backupi është kthyer në punë ka nisur përsëri sulmi dhe kjo konfirmohet nga sulmi që ndodhi një muaj pas sulmit fillestar drejt policisë së shtetit, gjithashtu dhe nga raportet e kolegëve të Kosovës.
E dyta po të bazohemi tek raporti Mikrosoft dhe FBI këto sulme, këto grupe kanë sulmuar dhe po sulmojnë aktualisht si Kosovën si Malin e Zi, por asnjë nga këto shtete nuk ka çeduar si ka çeduar shteti shqiptar”, tha ai.