Çdekretimi i një dekreti të Presidentit të Republikës prej vetë atij, nuk parashikohet në Kushtetutën e vendit. Në nenin 92 te ligjit themeltar te shtetit, ku renditen kompetencat e Presidentit, nuk përcaktohet një kompetencë e tillë.
Kushtetuta është një por interpretime bëhen shumë. Kështu po ndodh edhe me aktin e fundit që kreu Presidenti Ilir Meta duke anulluar dekretin e datës së zgjedhjeve vendore.
Duke iu referuar kushtetutws, Presidenti ka tagrin e vetëm për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe këtë ia jep neni 92, shkronja “gj”,sipas të cilës Presidenti i Republikës është organi i vetëm kushtetues që ka për kompetencë caktimin e datës së zhvillimit të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, për organet e pushtetit vendor, si dhe për zhvillimin e referendumeve.
Është ky nen që përcakton kompetencat e presidentit të republikës në të cilët nuk ka asnjë pikë që të përcaktojë çdekretimin e një dekreti.
Sipas nenit 93 Presidenti i Republikës në zbatim të kompetencave të tij nxjerr dekrete.
Dhe një nen më poshtë (neni 94) e ndalon presidentin të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht në Kushtetutë.
Çdo dekret për shtyrje të zgjedhjeve në të kaluarën ka dalë pas një marrëveshjeje politike. Në rastin konkret presidenti Meta e justifikon vendimin e tij me nenin 86 sipas të cilit Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit.
Vlerësimin përfundimtar të interpretimeve që i bëhen neneve të Kushtetutës duhet ta bëjnë vetëm rojtarët e munguar të saj, anëtarët e gjykatës kushtetuese. /ABC News Albania 24/7