Pse Giorgia Meloni nuk përbën një kërcënim real për unitetin e BE-së

schedule12:43 - 1 Tetor, 2022

schedule 12:43 - 1 Tetor, 2022

Nga Stefano Stefanini “La Stampa

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Giorgia Meloni ka fituar pa asnjë diskutim besimin e italianëve. Por tani ajo do të duhet të punojë për të fituar besimin e pjesës tjetër të botës, dhe veçanërisht botës së cilës i përket Italia:Perëndimit dhe Evropës. Italia nuk ka luksin e izolimit politik, vetë-mjaftueshmërisë ekonomike apo margjinalizimin kulturor.

Slogani “Italia e Para” nuk përfaqëson interesat kombëtare. Ai nuk i përshtatet një fuqie të mesme atlantike, evropiane dhe mesdhetare, dhe që i përket organizatave të shpërndara në mbarë globin, me një rrjet të dendur ndërvarësish dhe lidhjesh nga të cilat varet siguria dhe mirëqenia jonë.

Shpeshherë udhëheqësve të rinj u jepet një periudhë prove në skenën ndërkombëtare. Kjo nuk vlen për Melonin, e cila do të marrë postin e kryeministrit me luftën ruso-ukrainase në qendër të Evropës, dhe në mesin e një krizë të rëndë energjetike.

Politika e jashtme dhe ajo evropiane, do të jetë testi i lakmusit i qeverisë së saj të re, por edhe një provë mbi kohezionin e koalicionit dhe udhëheqjes së kryeministres së ardhshme. Për hir të vazhdimësisë së aleancës së Atlantikut të Veriut, duhet të mbetet në fuqi mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën dhe sanksionet ndaj Rusisë.

Kur ka qenë në opozitë, Giorgia Meloni ka votuar vazhdimisht në favor të këtyre masave të qeverisë, përfshirë edhe dërgimin e armëve në Kiev. Me shumë gjasa ajo do të ndjekë të njëjtën linjë edhe në krye të qeverisë. Por mosmarrëveshjet mund të vijnë nga dy aleatët, Silvio Berlusconi dhe Matteo Salvini, të cilët kanë një simpati të hapur ndaj Vladimir Putinit për arsye të ndryshme.

Meloni mund dhe duhet të mbajë qasjen aktuale të Italisë ndaj luftës. Ajo mund ta bëjë këtë sepse Matteo Salvini i partisë së ekstremit të djathtë Lega, doli më i dobët nga zgjedhjet e të dielës së kaluar. Ndërkohë Putinizmi nostalgjik i Silvio Berlusconit nuk ndahet nga pjesa tjetër e partisë së tij, Forza Italia.

Ajo duhet ta bëjë këtë edhe sepse marrëdhëniet e mira të Italisë me Shtetet e Bashkuara, të cilat ajo i vlerëson, varen nga Ukraina. Në lidhje me këtë çështje, Uashingtoni nuk sheh linja partiake. Aktualisht ka një luftë, dhe një kërcënim bërthamor nga Moska. Italia është anëtare e NATO-s, që është guri i themelit për sigurinë e Evropës, por edhe të Italisë.

Shqetësimet në lidhje me qeverinë e re italiane, nuk janë ndonjë sekret në Bruksel. Por është më mirë të presim më parë veprimet, formimin, programin dhe mbi të gjitha sjelljen e qeverisë së re, dhe të mos harrojmë se suksesi i Melonit është rezultat i demokracisë.

Kjo ishte edhe deklarata e zgjuar e Emmanuel Macron, që foli për respektimin e “zgjedhjes demokratike” të popullit italian. BE-ja dhe liderët e tjerë nuk duhet që t’ia lënë monopolin e urimit të kryeministres së re italiane, kryeministrit të Hungarisë së ekstremit të djathtë Viktor Orban, përndryshe do ta shtyjnë atë në krahët e tij.

Meloni tha se donte të distancohej prej tij. Ajo ka hequr dorë nga fantazitë e largimit nga euro apo BE, të cilën italianët nuk e duan. Në vend të kësaj, ajo dëshiron të “reformojë” unionin, për të transferuar më shumë sovranitet tek vendet anëtare. Kjo e shndërron politikën evropiane në një test të fortë për qeverinë e re.

Është e pashmangshme që ajo nuk do të kërkojë një distancim nga qeveria e përkohshme e Mario Draghit rreth 3 çështjeve kryesore. Së pari, ajo nuk do të dëshirojë të minojë interesin kombëtar kur bëhet fjalë për Planin Kombëtar të Rimëkëmbjes ekonomike (PNRR).

Draghi, ish-president i Bankës Qendrore Evropiane, e hartoi vetë PNRR dhe gati 200 miliardë euro nga ky fond i BE-së do të shkojnë për Italinë. Dy në tre italianë e vlerësojnë Draghi-n për ringjalljen e parë ekonomike të Italisë pas një kohe shumë të gjatë stanjacioni apo rënie, pjesërisht falë PNRR dhe reformave që dikton ajo.

Së dyti, dy partnerët më të rëndësishëm evropianë të Italisë mbeten Gjermania dhe Franca. Është logjika e shëndoshë, dhe jo politika, ajo që e bën marrëdhënien me Parisin dhe Berlinin një konstante në pozicionin e Italisë në Evropë.

Së fundi, kur bëhet fjalë për disiplinën fiskale – një çështje shumë më e ndjeshme për Melonin sesa për 2 aleatët e saj – ajo mund të hyjë në kursin e përplasjes me Brukselin, por tregjet nuk të falin. Për këtë mjafton të shihni se çfarë po ndodh në Britaninë e Madhe.

Një qasje pragmatike dhe jo-ideologjike ndaj politikës evropiane, do t’i japë mundësi Melonit të prezantohet në Bruksel si një udhëheqëse, me të cilën BE-ja mund të punojë në mënyrë konstruktive. Brukseli duhet të jetë në gjendje të përgjigjet pa u shfaqur si mendjengushtë.

Ndërtimi i një marrëdhënie pozitive është me interes të ndërsjellë:Italia ka nevojë për BE-në, por po ashtu është vendi i tretë në Bashkimin. Pra është një vend “shumë i madh për të dështuar” dhe për t’u lënë pas dore. Shumë shpejt do të zbulojmë nëse Meloni dhe udhëheqës të tjerë evropianë, mund të punojnë apo jo së bashku. Le të shpresojmë që po. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!