Kryeministri i vendit, Edi Rama i pranishëm në Forumin e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve dhe Ekonomisë Qarkulluese, u shpreh se qeveria ka kohë që merret me këtë problematikë dhe i ka kushtuar një vëmendje të jashtëzakonshme, sidomos nga nisja e mandatit të tretë.
Në këtë forum po shpalosen bilancet e një viti qëkur u shpall mjedisi si një objektiv kryesor për bashkitë.
Rama: Bilancet janë pozitive, por nevoja për të ecur shumë më shpejt më parë është realisht therëse. Ajo që vlen të përsëritet si fakt është që kur ne e nisëm këtë rrugëtim në Shqipëri 50% e mbetjeve mbeteshin rrugëve, i merrni ujërat, digjeshin në fusha shumë pranë zonave të banuara dhe faktikisht banorët e Kombinatit në Tiranë, ata të Elbasanit apo Fierit ku sot situata është tjetër, e kujtoni se çfarë ndodhte në zonat e tyre me malet e plehrave që sillnin ajër të ndotur në çdo dritare. Nëse 50% e plehrave mbeteshin rrugëve dhe ktheheshin në lëndë toksike mbi tokë, sot ne jemi në 90% të grumbullimit të tyre dhe kemi akoma një sasi relativisht të vogël që mbetet e pa grumbulluar.
Rama tha se pavarësisht sasisë së vogël të mbetjeve që mbeten pa grumbulluar, duhet trajtuar si një problematikë e madhe. Më tej, Rama u ndal te menaxhimi i mbetjeve nga secila bashki, sidomos gjatë sezonit turistik dhe përmendi Himarën si një histori suksesi.
Rama: Dua të përmend Himarën si histori suksesi. Shembulli i Himarës është një shembull i jashtëzakonshëm, i një zgjimi të befasishëm të kryetari të bashkisë dhe i një pune që është pasqyrë për tu marrë shembull nga të gjithë. Sot Pogradeci është një pasqyrë pastërtie, Kamza shëmbëlltyra më dramatike e pisllëkut sot është një shëmbëlltyrë pastërtie. Gjirokastra dhe Elbasani, dhe Elbasani jo thjesht për faktin që falë impiantit të ndërtuar atje u hoq fusha mesjetare e plehrave, por edhe falë një organizimi dhe një shtrirje të shërbimit në gjithë territorin e bashkisë. Të gjitha këto bashki nuk janë dot sot të krahasueshme me Cërrikun dhe Sarandën që janë jo një por disa hapa përpara, në atë që mbetet një problematikë serioze, trajtimi dhe riciklimi i mbetjeve.
Kryeministri Rama theksoi se fushat ilegale të grumbullimit të plehrave janë mbyllur. Objektivi tani është kalimi në një fazë tjetër, duke marrë shembullin e më të mirëve./Abcnews.al/