“Kurrë, kurrë,” Biden zotohet se Amerika nuk do t’i njohë përpjekjet e Rusisë për aneksim

schedule07:33 - 30 Shtator, 2022

schedule 07:33 - 30 Shtator, 2022

“Shtetet e Bashkuara “kurrë, kurrë, kurrë” nuk do ta njohin përpjekjen e Rusisë për të aneksuar territorin në Ukrainë”, tha presidenti Joe Biden.

Deklaratat e Biden u bënë para fjalimit të ditës së sotme (30 shtator) që pritet të mbajë Vladimir Putin, i cili pritet të deklarojë  se katër rajone të Ukrainës po i bashkohen Rusisë.

Kremlini thotë se Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson votuan për t’u bashkuar me Rusinë në referendumet e fundit.

Por Ukraina dhe Perëndimi i kanë hedhur poshtë votat si një mashtrim.

SHBA do të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë si rezultat i aneksimit.

“Shtetet e Bashkuara, dua të jem shumë i qartë për këtë, kurrë, kurrë, kurrë nuk do t’i njohin pretendimet e Rusisë për territorin sovran të Ukrainës,” tha Biden.

Të enjten, presidenti rus nënshkroi dy dekrete që njohin Zaporizhzhia dhe Kherson si territore të pavarura, duke hapur rrugën për aneksimin e tyre.

Dokumentet, të shpërndara në mediat shtetërore ruse, thonë se pavarësia e dy rajoneve po njihet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe “të sanksionuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara”.

Megjithatë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres ka thënë se çdo aneksim i territorit të një vendi bazuar në përdorimin e forcës shkel Kartën e OKB-së dhe ligjin ndërkombëtar.

Është një “përshkallëzim i rrezikshëm” që “nuk ka vend në botën moderne”, tha ai.

Në një telefonatë me Putin, presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan shprehu gjithashtu kundërshtimin e tij ndaj planit.

Ai i bëri thirrje liderit rus që të ulë tensionin dhe t’i japë negociatave të paqes me Ukrainën një tjetër shans, sipas një zëdhënësi.

Turqia, së bashku me OKB-në, ka ndërmjetësuar në negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës në të kaluarën  me sukses në arritjen e një marrëveshjeje për të rifilluar eksportet e grurit përmes Detit të Zi.

Në Moskë të enjten, përgatitjet për njoftimin e Putinit ishin në rrugë të mbarë.

Një skenë u ngrit për një koncert në Sheshin e Kuq, e stolisur me tabela që shpallnin katër rajonet si pjesë të Rusisë.

Është një përsëritje e aneksimit nga Rusia të gadishullit jugor të Krimesë në vitin 2014, i cili gjithashtu pasoi një referendum të diskredituar.

Ky aneksim nuk është njohur kurrë nga shumica dërrmuese e komunitetit ndërkombëtar, dhe as ky.

Por pavarësisht se çfarë thotë Perëndimi, dy dhomat e parlamentit të Rusisë do ta ratifikojnë zyrtarisht masën javën e ardhshme.

Putin do të shpresojë që duke aneksuar zonat e pushtuara të Ukrainës, ai do të jetë në gjendje të argumentojë se territori rus po sulmohet nga armët perëndimore, me shpresën se disa qeveri mund të ndalojnë ndihmën e tyre ushtarake për Kievin.

Por Kievi ka thënë se nuk do të ndryshojë asgjë në fushën e betejës.

Aneksimi ka ardhur pas pesë ditësh referendumesh të vetëquajtura në të katër rajonet javën e kaluar.

Rusia thotë se votimi ishte i drejtë dhe rezultoi në favor të bashkimit me Rusinë. Por nuk kishte asnjë monitorim të pavarur dhe raportet e njerëzve të frikësuar për të votuar ishin të përhapura.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se “pseudo referendumet” ishin të pavlefshme dhe këshilltari i tij Mykhailo Podolyak i quajti ato “dhunë masive”.

“Imagjinoni… ka tanke të ushtrisë okupatore dhe në shtëpi e banesa njerëzish që nuk janë larguar ende… ushtarakë me automatikë i vënë në fytyrë dhe thonë voto!”/Abcnews.al/