Presidenti Meta shfuqizon datën e zgjedhjeve vendore

schedule19:25 - 8 Qershor, 2019

schedule 19:25 - 8 Qershor, 2019

Në një vendim të papritur, Presidenti Ilir Meta ka anuluar dekretin e firmosur prej tij, duke shfuqizuar 30 qershorin, si datën e zgjedhjeve vendore. Kreu i shtetit paralajmëron se të hënën do të zyrtarizojë këtë vendim dhe do të japë argument shteruese kushtetuese dhe institucionale që e çuan në këtë vendimmarrje.

Presidenti i republikës Ilir Meta shfuqizon dekretin e tij të 5 nëntorit të vitit të shkuar që përcaktoi  30 qershorin si datën e zgjedhjeve vendore. Përmes një njoftimi për shtyp institucioni i presidencës bën të ditur këtë vendim, të shoqëruar me disa arsye që çuan në marrjen e tij.  Ndërsa  sqaron se argumente të tjerë shterues do të japë në një komunikim me mediat ditën e hënë.

Kreu i shtetit bën të ditur se vendimin për të ç’dekretuar datën e zgjedhjeve vendore e mori në kushtet e thellimit të krizës politike në vend dhe duke mos parë reflektim nga asnjëra palë politike.

Sipas presidentit, vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve merret duke pasur parasysh domosdoshmërinë e c’tensionimit urgjent të situatës dhe të rrezikut të përshkallëzimit të paparashikueshëm të konfliktit në vend.

Kreu i shtetit shpreh bindjen e tij se mbrojtja e parimeve kushtetuese është më e rëndësishme se çdo afat ligjor, por thotë se i përmbahet betimit për të ruajtur me çdo kusht stabilitetin  e vendit, paqen sociale dhe unitetin kombëtar.

Presidenti shprehet duke shpjeguar marrjen e këtij vendimi se kushtet aktuale nuk mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta demokratike, përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse./ABC News Albania 24/7