Nga Namik Dokle
Një telefonatë, dje vonë, nga një numër i panjohur, por me prefiks +1, nga SHBA.
-Kush jeni- e pyes?
-Dervishi nga Menkulasi, të flas nga Amerika. Më kujton?
Jemi njohur në vitin 1994, në referendumin e Kushtetutës.
-E si mos të të kujtoj, o Dervish? Harrohen ato vite?
Më tregoi që më kishte dërguar dy foto nga ato të referendumit, të ditës më të veçantë të asaj fushate.
Kishim mbaruar takimet në Miras (Bozhigrad) e fshatra të tjerë e po ktheheshim për në Bilisht.
Dikujt, dhe dihet se kujt, i kishin prishur midenë ato takime dhe… kur po kalonim një përrua afër Menkulasit, na preu rrugën një kamion i madh.
Nga karroceria e kamionit zbritën më shumë se një duzinë burrash që tundnin cfurçe, lopata e ku di se çfarë tjetër.
“Mbaruam, këta edhe të vrasin”- më tha doktor Sinan Agolli, që e kisha në krah dhe i njihte se nga ishin.
Në atë imtë që na u turrën, të egërsuar, u dëgjua një krismë.
Egërshanët ndaluan dhe unë pashë një djalë të ri, mbi një gur në mes të përroit, me revolver në dorë, që bërtiste:
-Edhe një fije floku t’u prekni, bëhet nami!!!
Egërshanët u stepën e pastaj u larguan me bisht ndër shalë.
– Po ky, shpëtimtari ynë, kush është- pyeta doktor Sinanin?
-Është Doda, djalë Mirdite, dhëndër në Menkulas,- më tha ai.
Eh, o Dervish, ç’na i kujton ato kohë?