Barazimi me Islandën në “Air Albania” duket se ka mbyllur çdo llogari të trajnerit, Edy Reja me kombëtaren shqiptare. Në Nations League, kuqezinjtë nuk ia dolën dot të siguronin një fitore, ndërsa u renditën të tretët në një grup ku Rusia është e përjashtuar.
Trajnerit i skadon kontrata në nëntor të këtij viti, por zor se do të jetë në miqësoret me Italinë dhe Arabinë Saudite, me “valixhet” që i ka gati për Itali, pasi tashmë si kurrë më parë edhe tifozët janë kundër kombëtares, dukshëm të zhgënjyer nga yjet e tyre.
Por kush janë kandidatët që mund të marrin frenat e kombëtares për të sjellë në shinat e duhur talentet që kemi?
Xhankarlo Kamoleze është trajneri i parë që përflitet, për vetë faktit që ka qenë pjesë e FSHF-së dhe e njeh mirë ambientin kuqezi, pasi në të kaluarën ka qenë drejtori teknik i ekipeve kombëtare.
I dyti është Besnik Hasi. Hasi mund të quhet edhe “ëndrra” e tifozëve, pasi pas çdo largimi të trajnerëve të kombëtares është i pari që përflitet se mund të marri frenat e kuqezinjëve. Në të kaluarën ka drejtuar skuadra si Anderleht, Olimpiakos apo Legian e Varshavës.
I fundit po jo më pak i rëndësishmi është edhe Giani De Biazi. Ish-trajneri i kuqezinjve i cili na kualifikoi në “Euro 2016” është edhe shumë i dashur për tifozët, të cilët kanë vërshuar me mesazhe ndaj tij që të mund të rikthehet në kombëtare. /f.a/abcnews.al