Reshjet e dendura të shiut mbrëmjen e djeshme kanë krijuar probleme në disa zona të vendit.
Në segmentin prej 16 km që lidh Rrëshenin me fshatin Bukmirë ka patur rrëshqitje dherash dhe rënie gurësh duke penguar lëvizjen e mjeteve te vogla, ndërsa rrezikohet izolimi i zonës.
Banoret kërkojnë ndërhyrje nga shteti.
Pastrimi i rrugës nuk është zgjidhje, pasi sipas banorëve këtu duhet një ndërhyrje e re.
Në Pukë, shirat e dendur kanë shkaktuar dëme në disa akse rurale.
Gjon Gjonaj kryetar i Bashkisë Puke thotë se prurjet në disa fshatra kanë të dëmtuar ura dhe linja ujësjellësi.
Autoriteti Rrugor Shqiptar bën me dije se në akset rrugore Tamarë-Vermosh dhe Hani Hotit-Tamarë ka pasur rrëshqitje gurësh dhe inertesh.
Gjithashtu, edhe në aksin Bogë-Theth ka pasur probleme me prurjet e përrenjve në trup të rrugës.
Në Bulqizë për shkak të mosfunksionimit të kanaleve kulluese rruga e Arbrit mes dy lagjeve të qytetit të Bulqizës ishte nën pushtetin e ujit. Kjo situatë ka krijuar problem në qarkullimin e automjeteve që lëvizin drejt qytetit të Peshkopisë. Ndërsa në aksit nacional Klos – Bulqizë ka patur herë pas here rënie gurësh, por pa penguar qarkullimin e automjeteve./abcnews.al/

