Investimet e planifikuara për katër vitet e ardhshme, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i bisedoi me banorët e njësisë administrative numër shtatë. Transformimi i lagjeve dhe shtimi i hapësirave sportive premtoi se do të jenë në fokus të punës së tij.
Ky bllok banimi mes rrugës “Kel Kodheli” dhe Skënder Shtylla në njësinë administrative numër shtatë në Tiranë po ndryshon pamje. Sipas kryebashkiakut Erion Veliaj njëherësh kandidati socialist i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” nuk do të jetë investimi i vetëm i planifikuar për këtë zonë.
Projektet e nisura në këtë mandat premton t’i vijojë katër vitet e ardhshme.
“Tani do të shfrytëzojmë korrikun, gushtin, por edhe qershorin, që të kapim maksimumin, pa bërë pushime në verë, që zonat e kthyera në objekte kantieri në Bashkinë e Tiranës të përfundojnë, dhe kur njerëzit të kthehen nga pushimet në shtator, zona të ketë dalë në dritë. Në momentin që mbaron infrastruktura, do jetë pastaj më kollaj për çështjen e legalizimeve, se edhe ALUIZNI do shohë që ka mbaruar rrjeti i rrugëve, ka mbaruar rrjeti i ujësjellësit, i ndriçimit, do të thotë që edhe pengesat e mëhershme për investimet e munguara, për mungesë urbanizimi, zhbllokohen.”
Shtimi i hapësirave sportive ka marrë vëmendjen e bashkisë këtë katër vjeçar. Me mbështetjen e donatorëve privat dy fusha te reja sportive iu shtuan sheshit “Emil Le Grand”.
“Nëse në katër vitet e para fokusin e kishim kryesisht tek këndet e lojërave për fëmijë, çerdhet, kopshtet, tani po shkojmë më shumë drejt sportit e shkollave, sepse besoj që, kur janë adresuar nevojat e më të vegjëlve, mund të lëvizim tek nevojat për më të rriturit. Kaluan 4 vite dhe tani duam që, siç kemi filluar këtu me dy fusha, siç kemi bërë tek stadiumi “Dinamo”, tek Parku Olimpik, siç kemi bërë në Kodër-Kamzë tek “Isa Boletini”, tek Liqeni, do vazhdojmë në çdo lagje”.
Terrenet sportive premtoi Veliaj do të rikthehen dhe në sheshet para pallateve./ABC News Albania 24/7