Berisha: Kemi kualitetin e duhur për të marrë një rezultat pozitiv

schedule15:57 - 5 Qershor, 2019

schedule 15:57 - 5 Qershor, 2019

Kombëtarja ndihet e sigurt në mbrojtje dhe mund të fitojë në Islandë për Europianin. Portieri Etrit Berisha dhe mesfushori Ergys Kaçe kanë besim, ndërsa flasin për atmosferën në ekip.

Numërimi mbrapsht ka filluar, madje është drejt fundit. Të shtunën, kombëtarja luan në Islandë për eliminatoret e Europianit, dhe interesimi i tifozëve është të dinë sesa e përgatitur është ajo për t’ia dalë, sidomos duke pasur parasysh mungesat në mbrojtje. Etrit Berisha, portieri titullar dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm, flet për kundërshtarin dhe për ekipin tonë.

Kundërshtar direkt për t’u kualifikuar. Kemi kualitetin e duhur për të marrë një rezultat pozitiv. Në mbrojtje kemi shumë lojtarë të cilët mund ta kryejnë këtë repart mjaft mirë”, tha Berisha.

Një nga temat kryesore të këtyre ditëve mbetet ajo e ndikimit të trajnerit të ri, Edi Reja.

“Atmosfera është e mirë duke pasur parasysh që kemi një trajner që ka eksperiencë të madhe. Është munduar që ekipi të ketë më shumë entuziazëm. Tani çdo gjë varet nga rezultati. Deri tani jemi të kënaqur me mënyrën si kalojmë në stërvitje dhe jashtë saj”, tha Berisha.

Ergys Kaçe është një i rikthyer në kombëtare, një lojtar nga ata që kanë ardhur dhe kanë ikur. Gjithsesi, ai ndihet i sigurt dhe i barabartë me të gjithë.

“Islanda është një skuadër shumë e fortë. Edhe ne si skuadër jemi e fortë dhe besoj se mund të fitojmë. Nuk e di akoma a do luaj, a do jem titullar, por besoj po më futi trajneri unë do jap 100% të ndihmoj skuadrën të marrim tre pikët”, tha Kaçe.

Edhe Kaçe flet për atmosferën në skuadër.

“Sa herë vjen një trajner i ri në skuadër, të gjithë lojtarët japin maksimumin. Besoj se kemi bërë stërvitje shumë të mirë. Jemi gati për ndeshjen”, tha ai.

Mesfushori ka një moment kulmor në kombëtare, kur shënoi golin e fitores ndaj Francës disa vjet më parë në “Elbasan Arena”. Padyshim, ai shpreson që ekipi përfaqësues të kthehet edhe një herë në ato nivele./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!