Gjykata e Apelit në Tiranë lë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, ‘detyrim paraqitje’ për ish-deputetin e partisë Demokratike Klevis Balliu. Prokuroria kishte ngritur 6 akuza ndaj Balliut, ndërsa veprat penale u rrëzuan në të dy shkallët e gjyqësorit.
“Kemi me dhjetëra qytetarë të cilët në Gjykatën e Tiranës sot po gjykohen prapë sepse janë në protestë. Protesta këtu ka çdo ditë sepse protesta është kundër një qeverie e cila çdo ditë kapet nëpër skandale dhe afera korruptive ku vidhen paratë e qytetarëve. Tani vjedhjet janë shtuar për faktin e thjeshtë sepse Edi Rama e di që është në ditët e tyre të fundit sepse ka rritur dozën e vjedhjeve.
Marrim rastin e Milot-Balldren, ku po vidhen 300 mln euro. Në Austri ku është vendi ku shkojnë më shumë para se çdo vend tjetër për të bërë rrugë kushton 13 mln euro për kilometër, kurse në Shqipëri Edi Rama po i bën me 15 mln euro për kilometër, me një rrugë që është fushë dhe nuk do ishte më shumë as më pak se 900.000 apo 1 milionë euro kilometri”, tha Balliu./ABC News Albania 24/7