Ka ndërruar jetë në moshën 96-vjeçare, aktorja shqiptare me famë botërore, Irena Pappa.
Origjina shqiptare e aktores së njohur greke Irena Pappa Leleku, është kundërshtuar shpesh, sidomos nga biografët grekë.
Gjatë bashkëbisedimeve që ka pasur me aktorin shqiptar Bekim Fehmiu ajo e ka pranuar origjinën e saj shqiptare.
Prejardhjes së saj shqiptare i ka kushtuar vëmendje dhe studiuesi grek Aristidh Kollia në librin e tij “Arvanitasit dhe origjina e grekëve” botuar në Athinë më 1983.
Irene Pappa së bashku me aktorin e njohur shqiptar kanë luajtur në filmin e titulluar “Një fëmijë i quajtur Jezus”, atje ajo ka bërë të ditur se ka origjinë shqiptare.
“Unë nuk mund ta lë këtë botë duke mos e thënë të vërtetën. Unë jam shqiptare. Kam lindur në vitin 1926 dhe mbiemri im fillimisht ka qenë Leleku”, ka thënë ajo.
Gjatë xhirimeve të filmit legjendar “Odissea” në vitin 1968, në momente pushimi të dy aktorët kanë qenë duke biseduar në një gjuhë që nuk ishte e askujt tjetër nga trupa e filmit. Të pushtuar nga kureshtja, njëri prej tyre i pyet:
-“Më falni, por cila është gjuha që ju po e flisni”?
Irena Papas (Irini Leleku) e prek në dorë Bekim Fehmiun, që ta linte të përgjigjej:
-“Është gjuha e nënës”!
-“Gjuha e nënës? Po cila mund të jetë ajo gjuhë e nënës kur ju jeni greke e Bekim Fehmiu jugosllav”? – i pyet gazetari.
-“Unë jam shqiptare nga Greqia kurse Bekimi shqiptar nga Jugosllavia por më e rëndësishmja është se ka qenë vullneti i vetë Zotit që ne të dy t’i luajmë këto dy role sepse dikur edhe vetë Penelopa dhe Odiseu kanë folur po të njëjtën gjuhë që e flasim unë e Bekimi sot”.
Irene Leleku, Pappa, ka luajtur role të ndryshme në 80 filma.
Roli i saj më i shquar është ai i Penelope, në serialin italian “Odiseu” së bashku me legjendarin kosovar, Bekim Fehmiu.
Biografia
Irena Papsa lindi më 3 shtator 1926 në Chiliomodi, Korinthia, Greqi, ku kaloi fëmijërinë e saj. Prindërit e saj ishin mësues. Aktorja me famë botërore kishte tre motra.
Ndërsa adoleshencën e ka kaluar në Athinë duke ndjekur kurse aktrimi në Shkollën Kombëtare të Teatrit Klasik.
Në moshën 15-vjeçare ajo nisi rrugën e saj artistike, pasi ka punuar si producente radiofonike, këngëtare dhe kërcimtare. Në moshën 18-vjeçare Irena u martua me shkrimtarin Alki Papa, megjithëse martesa e tyre nuk zgjati shumë, aktorja mbajti mbiemrin me të cilin u bë e njohur në mbarë botën.
Në hapat e saj të parë në skenë, ajo mori pjesë në produksionet e Teatrit Kombëtar.
Talenti i saj unik dhe interpretimet e shkëlqyera në tragjeditë antike si “Medea” dhe “Elektra” e bënë atë shumë shpejt të famshme.
Dashuria dhe respekti i aktores për dramën antike ishte i madh.
Kur vendosi të ndalonte interpretimin e roleve të tilla, ajo deklaroi në një intervistë për gazetën “Avenire” në Romë: ” Vendosa që nuk do të aktroj më, sepse tragjedia ka një përgjegjësi të madhe. Dhe frika se nuk mund ta përballoja do të më bënte të ndihesha shumë keq.”
Irena Pappa ka marrë pjesë në më shumë se 80 filma , me xhirime në të gjithë botën (Chinatoën, Hollyëood, Jugosllavi, Liban, Marok, Brazil, Australi, Portugali, etj.).
Përveç interpretimeve të suksesshme të tragjedive, filmat e saj më të njohur janë filmi i paharrueshëm hollivudian “The Cannons of Navarone”, ku luan rolin e luftëtares Maria Papademou (1961) dhe “Alexis Zorbas”, i cili luan rolin e E veja (1964).
Kontributi i Irenës në art është vlerësuar shumë herë brenda dhe jashtë Greqisë, përmes çmimeve të panumërta që ajo ka marrë herë pas here.
Përveç çmimit Oscari që fitoi në vitin 1969 për interpretimin e saj në filmin “Z” të Kostas Zavras, ajo ka marrë edhe shumë çmime të rëndësishme. Në vitin 1995, ajo u nderua me Medaljen e Gjeneral Brigade të Urdhrit të Feniksit nga Presidenti i Republikës së Greqisë, Kostis Stefanopulos.
Në vitin 2000 ajo u nderua me titullin “Gruaja e Evropës” për kontributin e saj në promovimin e identitetit kulturor evropian.
Në vitin 2008 u nderua me çmimin “Çmimi Ndërkombëtar për Kulturën”nga organizata Premio Roma në teatrin antik të “Ostia Antica”, pak kilometra jashtë kryeqytetit italian.
Kur u ngjit në skenë për të marrë çmimin e saj, ajo me emocion tha: “Nuk di të qesh apo të qaj, mund të them vetëm se Athina do të jetë gjithmonë nëna ime, por Roma, në të njëjtën kohë, është një nënë e dytë unë, me zgjedhjen time të qartë” ./Abcnews.al/