Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut njoftoi këtë të hënë se po kërkon ekstradimin nga Hungaria të ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski.
Gruevski u arratis në Hungari më 13 nëntor të vitit 2018, ndërsa pak ditë më vonë njoftoi se autoritetet në Budapest i kishin miratuar kërkesën për azil politik, pasi akuzonte qeverinë e atëhershme maqedonase për përndjekje.
Pretendimet e tij janë hedhur poshtë nga Qeveria maqedonase e cila e kërkon Gruevskin për vuajtjen e disa dënimeve me burg.
Ish-kryeministri maqedonas përballet me 12 vjet e gjysmë burgim për dy gjykime të formës së prerë dhe një të shkallës së parë, por edhe me disa procese gjyqësore që janë duke vazhduar.
Ministria maqedonase e Drejtësisë njoftoi se është duke ndjekur procedurat gjyqësore dhe se do të kërkojë edhe një herë që Gruevski të ekstradohet në Maqedoninë e Veriut.
“Deri më tani për Nikolla Gruevskin është dërguar një kërkesë për ekstradim në nëntor të vitit 2018 dhe një tjetër në qershor të vitit 2019. Kërkesa për ekstradim përfshin të gjitha rastet për të cilat kemi dijeni se janë duke u zhvilluar procedura para organeve gjyqësore maqedonase, gjegjësisht për të gjitha procedurat për të cilat është lëshuar fletë-arrest”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.