VMRO-DPMNE, partia në pushtet në Maqedoninë e Veriut del kundër ish liderit të saj: Nikolla Gruevski.
Qeveria e re në Hungari dhe zotimi i saj për të ekstraduar këdo që kërkohet nga drejtësia ka vënë në lëvizje opozitën në Shkup, por edhe protagonistin e sulmeve.
Partia më e madhe opozitare, LSDM akuzon ministrin e Drejtësisë, të emëruar nga Hristian Mickoski, Igor Fillkov, se po zvarrit me qëllim dërgimin e dokumenteve për ekstradimin e Gruevskit nga Hungaria, duke u fshehur pas arsyetimit se po pritet formimi i qeverise së re në 9 maj në Budapest.
Kjo zhurmë e ka shqetësuar gruevskin i cili është përgjigjur publikisht përmes një postimi në facebook, duke thyer heshtjen që pas ekstradimit të tij.
Ai ka shprehur pakënaqësi për mënyrën se si po trajtohet rasti i tij dhe për përpjekjet për nisjen e procedurave të ekstradimit.
“Dëgjova paraqitjen e ministrit të Drejtësisë, i cili u shpjegonte mediave se si me zell kishte mbledhur informacione nga gjykatat dhe si kishte pritur pushtetin e ri në Hungari për t’u informuar për ndryshimin e statusit tim këtu për të nisur ekstradimin. E shikoj dhe pyes veten: kush është në pushtet në Maqedoni?! Duke parë nga jashtë, aspak nuk duket se LSDM-ja e kriminelit Zaev, me urrejtjen dhe metodat e tij të pista, është larguar nga pushteti.”
Ai i propozon ministrit të drejtësisë që të hetojë po ashtu abuzimet dhe procedurat e paligjshme gjatë asaj që e ka quajtur “ndjekje politike” që i është bërë atij në vitet e Zaevit, proceset gjyqësore të montuara dhe padrejtësitë që u bënë ndaj tij, përfshirë edhe dëshmitë e rreme.
Lidhur me ketë çështje kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski ka theksuar se nëse Gruevski rikthehet në vend, ai do të shkojë direkt në burg për të vuajtur dënimin.
Nikolla Gruevski e la vendin në 8 nëntor të vitit 2018, pak përpara se të fillonte vuajtjen e dënimit me burg për korrupsion./abcnews.al


