Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ishte i pari që mbajti fjalën në çelje të fushatës së PS-së për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit. Duke lavdëruar Partinë Socialiste si të vetmen që ka treguar një qeverisje të mirë vendore, Taulant Balla tha se do të fitohen edhe ato bashki që nuk kanë treguar të njëjtin nivel qeverisjeje si socialistët.
“Jemi e vetmja forcë politike që ka arritur të tregojë një qeverisje të mirë vendore. Padyshim që më 30 Qershor do të marrim përgjegjësinë për të qeverisur edhe në ato bashki që nuk kanë mundur të tregojnë nivelin tonë qeverisës. Duke nisur nga Shkodra, e deri në Gjirokastër”, tha Taulant Balla.
Por, Balla pati një paralajmërim për ata që premtojnë dhe përbetohen se nuk do të lejojnë zhvillimin e zgjedhjeve më 30 Qershor.
“Ne jemi këtu të gjithë bashkë në 30 qershor kur do të fitojë shteti institucional, Shqipëria dhe e ardhmja. Ne kemi ofruar modele të suksesshme të qeverisjes vendore. Kemi qeverisur me sukses në 35 bashki, në 30 qershor do të qeverisim edhe në 25 të tjerat. Shpreh bindjen e thellë se PS-ja do të jetë në qeverisje edhe kur të marrë datën për anëtarësim. Dy fjalë për ata që thonë se nuk do të lejojnë zhvillimin e zgjedhjeve. Nuk ka më ende ndonjë budalla që ti besojë Lulit, Saliut dhe Monikës dhe të marrë veten në qafë”, tha Balla./abcnews.al



