Thaçi kritikon BE-në nga Mali i Zi: Izolimi i qytetarëve tanë një padrejtësi

schedule14:03 - 1 Qershor, 2019

schedule 14:03 - 1 Qershor, 2019

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ndodhet në Malin e Zi ku ka marrë pjesë në një panel me Presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, para një audience të zgjedhur në forumin “To Be Secure” në Budvë. Aty u diskutua për vendet e rajonit, Evropën dhe Ballkanin Perëndimor.

Me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook Thaçi shkruan se thelbësor në këtë kontekst është fakti që i tërë rajoni po bën përpjekje për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kreu i shtetit të Kosovës në këtë rast kritikoi Bashkimin Europian për vonesat në vendimmarrje. Ai theksoi se padrejtësia më e madhe ndaj Kosovës vazhdon të jetë mbajtja në izolim e qytetarëve dhe bllokimi i perspektivës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Thaçi më tej shkruan se në rast se bashkësia ndërkombëtare, respektivisht shtetet anëtare të organizatave ndërkombëtare (BE, NATO dhe OKB), do të vazhdojnë t’i mbajnë dyert e mbyllura për shtetin e Kosovës, atëherë udhëheqësit e institucioneve dhe qytetarët tanë duhet të mendojnë seriozisht rrugën tjetër për arritjen e qëllimit të njëjtë. Durimi ynë duhet të shpërblehet dhe jo të keqpërdoret, përfundon Thaçi. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!