Gjigandi energjetik rus, Gazprom, ka ironuar situatën energjetike në Europë me një video që paralajmëron një dimër të gjatë me borë dhe akull që përfshin kontinentin, sipas Daily Mail.
Videoja prej dy minutash e titulluar “Dimri i gjatë” tregon sesi Europa do të ngrijë nga i ftohti për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë nga pushtimi në Ukrainë. Pamjet tregojnë një punëtor që mbyll furnizimet, duke dërguar presionin e gazit në zero, ndërsa retë e ftohta mbulojnë Brukselin, Berlini, Parisin dhe Londrën.
Videoja shoqërohet nga një grua që këndon këngën, “Winter will be Long”, nga Yuri Vizbor. Në tekstin e saj thuhet: “Shiko, matanë lumit, vjeshta po largohet dhe dimri do të jetë i gjatë, vetëm muzg dhe borë”.
Gazsjellësi Nord Stream 2, i cili u pezullua nga Gjermania si pjesë e sanksioneve kundër pushtimit të Rusisë, është gjithashtu pjesë e videos. Klipi mbyllet me një pamje të selisë së Gazprom në Shën Petersburg, duke treguar Qendrën Lakhta, ndërtesa më e lartë në Europë.
Videoja u publikua ndërsa Europa po përpiqet të frenojë një krizë energjetike që mund të çojë në ndërprerje të energjisë elektrike, fabrika të mbyllura dhe mund të përballet me recesion, raporton abcnews.al.
Gazprom tha se Nord Stream 1, tubacioni kryesor që transporton gaz në Gjermani, do të qëndrojë i mbyllur, duke fajësuar një rrjedhje nafte dhe duke pretenduar se problemet nuk mund të rregullohen për shkak të sanksioneve që ndalojnë shumë marrëveshje me Rusinë.
Zyrtarët europianë thonë se ky është një shantazh energjetik, që synon presionin dhe përçarjen e BE-së. Zëvendës shefi ekzekutiv i Gazprom, Vitaly Markelov, tha për Reuters të martën se Nord Stream 1 nuk do të rifillojë dërgesat derisa Siemens Energy të riparojë pajisjet me defekt.
Nga ana tjetër, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova fajësoi Shtetet e Bashkuara për krizën energjetike. Ajo tha se i kishte shtyrë liderët europianë drejt asaj që ajo e quajti një hap ‘vetëvrasës’ i ndërprerjes së bashkëpunimit ekonomik dhe energjetik me Moskën.
Ndalimi i gazsjellësit Nord Stream 1 nënkupton se dërgesat e gazit rus kanë rënë 89 për qind në krahasim me një vit më parë. Rusia furnizonte 40 për qind të gazit natyror të Europës dhe akoma më shumë Gjermaninë, ku energjia e lirë ishte një shtyllë e ekonomisë, raporton abcnews.al.
Ka ende një pjesë të gazit rus që rrjedh në Europë përmes një tubacioni që kalon përmes Ukrainës në Sllovaki, dhe një tjetër që kalon Detin e Zi në Turqi dhe më pas në Bullgari.
Rusia filloi reduktimin e gazit që verën e kaluar, para se të fillonte lufta në Ukrainë. Kjo bëri që çmimet e gazit të rriteshin ndjeshëm. Më pas Gazprom ndërpreu furnizimin për një sërë vendesh europiane pas sanksioneve të Perëndimit.
Kjo ka çuar në rritjen e çmimeve të gazit natyror, të cilat kanë shënuar rekorde gjatë javëve të fundit.
/abcnews.al