Rama: Pa “Ballkanin e Hapur”, nuk do firmoseshin kurrë marrëveshjet e sotme

schedule10:47 - 2 Shtator, 2022

schedule 10:47 - 2 Shtator, 2022

“Ballkani i Hapur” është mbledhur në Beograd të Serbisë, ku priten të nënshkruhen disa marrëveshje të reja. Presidenti serb, Aleksander Vuçiç, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski do të nënshkruajnë një marrëveshje për sigurinë ushqimore, një plan veprimi  për emergjencat civile, një memorandum për artin dhe kinematografinë dhe memorandum bashkëpunimi për minierat dhe energjinë.

Kryeministri Edi Rama, u shpreh se pa nismën e Ballkanit të Hapur, tre vendet nuk do të kishin mundësi për të firmosur këto marrëveshje dhe as nuk do të kishin përfitime ekonomike.

“Me anë të Ballkanit të Hapur, u bë e mundur hapja e importit të grurit me Serbinë. Nuk do ishte e mundur nëse ne do të ishim në rrugën e konfliktit që trashëgim nga e kaluar. Një marrëveshje për magazinim, rezerva dhe lehtësim ushqimor, duke bashkuar forcat. Ti vëmë gjërat në dispozicion të gjitha ato që kemi. Ne nuk do hidhnim asnjë hap për masat energjitike. Se furnizimi me energji është problem dramatik europian. Buxhetet tona kanë hyrë në një rrugë hemoragjike për të garantuar energji. Dhe ne duhet të bashkojmë forcat. Se çfarë ka Serbia apo Maqedonia ta këmbejmë. Ato e kanë termo ne e kemi hidro. Sot për t’i ardhur në ndihmë vetës, ne mund të parashikojmë marrëveshje. Ne mund të marrim më shumë energji.” u shpreh Rama.

“Po ecim bashkërisht. Dua ta mbyll se faktet dhe shifrat flasin vetë. Jo shumë po 7 muajit e fundit kemi pasur vëllim tregtarë. Të shohim sa janë rritur eksportet. Sa janë rritur flukset dhe për të kuptuar se çfarë kohe dhe sa shumë vite kemi humbur dhe çfarë potenciali të madh ka akoma. Shifrat janë inkurajuese me atë se çfarë ishin. Të gjitha këto lidhen me njerëzit me fermerët, me qytetarët.” tha i pari i qeverisë shqiptare.

Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “Mini-Shengenit” ballkanik, e prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Tri nismëtarët e “Open Balkan”, Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, Aleksander Vuçiç, presidenti i Serbisë dhe Zoran Zaev, ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, e ideuan këtë koncept me qëllim të krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!