E ftuara e sotme në studion e “Provokacija” me Mustafa Nanon, ka qenë shkrimtarja Flutura Açka. Shkrimtarja dha opinionin e saj në lidhje me femrat në politikën shqiptare që sipas saj janë keqtrajtuar dhe keqpërdorur nga politikanët, ajo gjithashtu tha se Arba Kokalari që u zgjodh në parlamentin europian, ishte një nga femrat shqiptare për të cilën duhet të krenohen të gjithë. Shkrimtarja përmendi edhe politikanen më të re në parlamentin shqiptar, Rudina Hajdarin, që sipas Açkes nuk ka arsye për ta sulmuar.
Mustafa Nano: Pashë te ju një lloj entuziazmi, ishit bërë pjesë e një hareje kombëtare. Kishit shkruar dhe një frazë:
“Shqiptarët e thjeshtë kanë gjithë të drejtën të krenohen për bijën e tyre, Arba Kokalari, sikur Arba të qe politikane, aq e hijshme që është, sic janë gratë shqiptare në përgjithësi, qeniet më të emancipuara të kësaj shoqërie…”
Mustafa Nano: Pyetja ime është kjo, nuk mendoni që po e teprojmë pak me këtë?
Flutura Açka: Sigurisht, kishte një dozë por nuk ka asgjë të keqe. Shyqyr që ka një dozë pozitive për tu krenuar, kështu që edhe unë ju bashkëngjita kësaj feste. Të mos harrojmë që në entuziazëm ka edhe një faktor shtesë që është se nga kush familje vjen kjo vazjë? dhe kjo ka shumë rëndësi.
Mustafa Nano: Duket sikur suksesi i Arba Kokalarit të shkrimi juaj shihej edhe si sukses i grave shqiptare..
Flutura Açka: Ndoshta kjo shprehje ka shqetësuar një kolegun tonë, një djalë shumë i mirë për të cilin unë do të vazhdoj ta respektoj, i cili më kujtonte që unë duhet të merresha me shkrimet, me përqarjet për tim bir në raport me tim bir dhe të mos merresha me çështje që kanë të bëjnë me politikën, a thua se politika është domen vetëm i burrave, njëlloj sikur të më thoshte që ti je grua dhe duhet të rrish te kuzhina dhe mos u merr me këto gjëra, domeni i kujt është politika? Kjo gjë më vrau më shumë se çdo gjë tjetër në atë shkrim. Unë nuk merrem me politikë por të drejtën si njeri i lirë, si publiciste e kam, për të thënë mendimin tim, qoftë edhe të gabuar. Disa kolegë tuaj më kanë sulmuar, të cilët merren vetëm me këtë gjë, merren vetëm si të hedhin baltë mbi njerëzit që nuk u pëlqejnë qeverive.
Mustafa Nano: I veconi gratë shqiptare, mos i mbani pak me hatër?
Flutura Açka: Ndoshta doja të provokoja, e pashë që 2 apo 3 djem të medias u shqetësuan shumë pse e kisha thënë këtë gjë, unë ju provokova dhe ju ratë në grackën time. Dua të them edhe diçka tjetër, gratë politikane shqiptare janë keqtrajtuar, shikoni çfarë i bëjnë Rudina Hajdarit? E majta e përdor për arsyet e veta dhe e djathta e godet për arsyet e veta. Ajo mund të ketë probleme me artikulimin për shkak se është shumë e re, por nuk duhet marrë si një dobësi apo arsye për ta sulmuar. Rudina Hajdari për mendimin tim ka bërë një gjest që Partia Demokratike duhet ta vlerësoje. Ajo, as nuk duhet të përdoret nga e majta dhe as të sulmohet nga e djathta, sepse ajo vajzë e re ka nevojë për mbështetje./abcnews.al