Vendimi i gjykatës penale të Kajros për shpalljen organizatë terroriste të Shoqatës Kulturore “Ardhmëria” në Shqipëri, e njohur ndërkombëtarisht si Al-Mustaqbal Cultural Association Albania, ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për ndikimin e Iranit dhe aktivitetin e organizatave që dyshohet se shërbejnë si instrumente të luftës hibride.
Duke komentuar zhvillimet në një intervistë për “Tirana Live”, analisti Arben Meçe u shpreh se çështja duhet parë përtej vendimit të autoriteteve egjiptiane, duke e lidhur atë me një strategji më të gjerë të ndikimit iranian.
Sipas Meçes, lufta hibride zhvillohet përmes diversionit, financimit dhe nxitjes së protestave, si dhe sulmeve ndaj institucioneve, me synimin për të destabilizuar dhe kapur strukturat shtetërore. Ai e cilësoi këtë fenomen si një kërcënim për rendin kushtetues dhe sigurinë euroatlantike, duke përmendur edhe rolin që, sipas tij, kanë Kina, Rusia dhe Irani në këtë strategji.
“Egjipti arrin të identifikojë dhe të gjejë provat, por thelbi qëndron te aktiviteti i Iranit. Kur flitet për 35 organizata, nuk jemi në ëndrrat tona kur flasim për ndikimin iranian. Irani është pjesë e boshtit të së keqes që është identifikuar në botë.
Boshti euroatlantik i ka shpallur luftë të hapur. Ka instrumente që në themel kanë diversionin dhe linjat e luftës hibride. Sot, në botë kemi luftë hibride.
Kur mendon se ka arritur kulmin e vet, kalon në grusht shteti. Data 24 ishte akti final i diçkaje që ishte përgatitur prej kohësh.
Ndryshimi antikushtetues i rendit është grusht shteti. Grushti i shtetit bëhet edhe duke nxjerrë lopatat, duke goditur sistemin bankar. Po godite bankat, e krijove krizën. U sulmuan institucionet që, përmes zjarrvënësve të parë, të bëhej kapja e institucioneve.
Mekanizmi nis me luftë hibride, nxit protestën, financon protestën dhe bëhet në shumë forma.
Në raportet e BE-së, lufta hibride ishte e para, një luftë e përgatitur nga Kina, Rusia dhe Irani”, tha Meçe.


