HIMARË – Detaje të reja kanë dalë nga arrestimi i “Boss-it” turk të kriptomonedhave Faruk Fatih Özer. Gazetari i ABC, Aldo Kozarja raporton se Faruk Fatih Özer fshihej në lagjen “5 Maji” në qytetin e Elbasanit. Ai është mbajtur nën përgjim për të paktën 2 javë, duke zbuluar të gjitha lëvizjet e tij bashkë me një grup prej 6 personash. Përgjimet kanë nisur me kërkesë të Prokurorisë së Elbasanit dhe me vendin të Gjykatës së këtij qarku, gjë e cila ka sjellë edhe zbulimin e vendndodhjes së saktë të Faruk Fatih Özer.
Pas u siguruan se ku fshihej turku i kërkuar ndërkombëtarisht është organizuar operacioni për kapjen e tij. Faruk Fatih Özer është vënë në pranga në një plazh të Himarës nën shoqërinë e disa personave. Ndërkohë në pranga ka rënë edhe një person tjetër me iniciale E.H, i cili dyshohet se ka ndihmuar Faruk Fatih Özer që të fshihej.
27-vjeçari Özer ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet policore turke dhe nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit në Lyon pasi rezulton i dyshuar për mashtrim në shtetin turk nëpërmjet valutës elektronike që kap vlerën rreth 2 miliardë dollarë, ndërkohë që me vete mbante një hard disk me vlerën e 108 milionë dollarëve.
Lexo edhe: 40 mijë vite burg për bosin turk, kush është super mashtruesi që u arrestua sot në jug të Shqipërisë
Faruk Fatih Özer, u arratis nga Turqia në 20 prill 2021 dhe u strehua në Shqipëri. Asokohe dolën dhe pamje filmike nga momenti kur ai është akomoduar në një prej hoteleve të Tiranës në shoqërinë e një shqiptari i cili ka deklaruar se nuk e dinte se ai ishte në arrati.
/abcnews.al/