Lajçak pas takimit me Vuçiçin: Shpresoj se jemi në rrugë të duhur, diskutimet vazhdojnë

schedule08:29 - 26 Gusht, 2022

schedule 08:29 - 26 Gusht, 2022

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka reaguar pas bisedimeve që pati mbrëmë deri vonë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.

Ai tha se vlerëson përpjekjet e Vuçiçit, por se bisedimet me të do të vazhdojnë prapë.

“Pas një rundi të dytë diskutimesh mbrëmë vonë, shpresoj se jemi në rrugën e duhur. E vlerësoj përpjekjet e sinqerta të presidentit serb për të mbështetur një zgjidhje europiane. Bisedimet tona do të vazhdojnë”, ka shkruar Lajçak.

Lajçak mbrëmë tha se diskutimi me Vuçiçin ishte i vështirë edhe pse atë e cilësoi si “të përgjegjshëm”.

“Patëm një diskutim të vështirë, por të përgjegjshëm me presidentin e Serbisë. I përcolla mesazhet dhe theksova se të gjitha marrëveshjet në dialogut duhet të zbatohen, përfshirë edhe marrëveshjen e vitit 2011 për lirinë e lëvizjes. Ne do të vazhdojmë bisedimet tona më vonë sonte”, kishte shkruar mbrëmë Lajçak.

Pas takimit me Vuçiçin, Escobar ka deklaruar se takimi ka qenë “i vështirë dhe i gjatë”.

“Ne vlerësojmë angazhimin e presidentit për paqen dhe stabilitetin. Do të vazhdojmë bisedimet”, tha Escobar.

Për “takim të vështirë” foli edhe presidenti serb. “Kemi pasur biseda të vështira me Lajçakun dhe Escobarin. Aty ishin edhe ambasadorë të SHBA-së dhe ai i BE-së. Vazhdojmë sonte me bisedime pas orës 22:00”, tha Vuçiq në një video-adresim në Instagram.

“Gjithmonë do të përpiqemi të ruajmë paqen dhe stabilitetin, do të luftojmë për paqen dhe stabilitetin, por asnjë sekond nuk do të devijojmë nga interesat tona jetike, kombëtare shtetërore, mbi të gjitha interesat e popullit tonë. Nuk ka dorëzim”, tha ai.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!