Një i vdekur dhe një i plagosur rëndë është bilanci i një atentati në fshatin Poro të Vlorës. I mbijetuari Eno Mata i ka shprehur policisë dyshimet se atentati është porositur nga Greqia, pasi e ngatërrojnë me vrasjen e një avokati grek. Shënjestra dyshohet se ishte pikërisht Mata, por i vrarë në këtë ngjarje mbeti 22-vjeçari Sotiraq Mehilli. Atentatorët ishin fshehur në shkurre dhe u benë prite. Hapën zjarr nga afër dhe njëri plumb preku 22- vjeçarin Sotiraq Mehillin në aortë. Ai ndërroi jetë rrugës për në spital.
Kurse Eno Mata që dyshohet se ishte dhe shënjestra e atentatit, mori tre plumba, në këmbë dhe në trup. Por është jashtë rrezikut për jetën. Dy djemtë me motor, Mehilli në timon dhe Mata pasagjer po shkonin për në shtëpi, në fshatin Poro.
Pak kilometar më larg, në Bisham autorët braktisën dhe dogjën makinën tip “Benz”. Brenda tij policët gjetën dy armë zjarri automatik. Verifikimet treguan se targat e mjetit ishin false.
Mata që deri tani mendohet se ishte objekti i sulmit me armë zjarr u kthye nga Greqia para disa muajsh. Atje ka qenë i dënuar për grabitje. Aleksandër Mata, i njohur edhe si Eno Mata, në vitin 2017 së bashku me shokun e tij Mikel Brahimaj dyshohet se vranë në Athine avokatin grek, Mihalesi Zafeiropulos. Por pas një grabitjeje ai la një shënim për policët grekë ku shkruhej se: “Unë vjedh, por nuk jam vrasës”.
Eno Mata në fund të letrës shkroi: “Maradona – këmbëshpejti”. Ai njihej me këtë pseudonim, pasi është rritur në Arkadia në Greqi dhe ka luajtur futboll me ekipin e qytetit ku shokët e tij e thërrisnin “Maradona shqiptar”. Të njëjtën gjë u tha edhe policeve mëngjesin e kësaj të hëne. “ Nuk kam vrarë, kam grabitur, dyshoj se atentatorët vijnë nga Greqia, me ngatërrojnë me vrasësit e avokatit grek”.
Policia nuk ka folur për shkaqet e ekzekutimit. Shumë persona janë marrë në pyetje dhe janë lënë të lirë. Dyshimet lidhen me të kaluarën e Matës në Greqi, por kjo thjesht mbetet një hipotezë./ABC News Albania 24/7