Detaje të reja janë bërë të ditura nga arrestimi i 27-vjeçarit Kristian Fusha, i cili akuzohet për vjedhje.
Fusha dhe bashkëpunëtori i tij 23-vjeçar, M.N., dyshohet se kanë grabitur dy kasaforta, ndërsa policia po punon për dokumentimin me prova të vjedhjeve të tjera të kryera nga ata.
Fusha ka thënë se ka vjedhur kasafortën e motrës të së fejuarës, pasi i duheshin para për të operuar këmbën.
Pas vjedhjes ai u largua për në Malin e Zi, ndërsa ka thënë se pasaportat dhe kasafortat i ka hedhur në koshat e plehrave në Shkodër.
Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa pritet që gjykata të japë vendimin.
Njoftimi i policisë për arrestimin:
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 1, operacioni policor i koduar “Kasaforta”.
Vodhën, në një banesë, 2 kasaforta me shuma parash, vihet në pranga 27-vjeçari i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale, si dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin “Kasaforta”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi:
– K. F., 27 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi M. N., 23 vjeç, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e strukturave të Policisë.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 14.07.2022, kanë vjedhur, në një banesë, në lagjen “Ali Demi”, 2 kasaforta me 100 000 lekë të rinj dhe mjete identifikimi. Gjithashtu, rezulton se shtetasit K. F. dhe M. N. janë autorë edhe të disa vjedhjeve të tjera në banesa, për të cilat vijon puna, me qëllim dokumentimin e tyre me prova ligjore.
/abcnews.al