Shtetësi për të pasurit, BE kundër: Është rrezik për Shqipërinë

schedule18:37 - 19 Gusht, 2022

schedule 18:37 - 19 Gusht, 2022

Qeveria shqiptare kërkon të tërheq të pasurit e huaj duke u dhënë shtetësi shqiptare por projekti kundërshtohet prerazi nga Delegacioni i BE-së në Tiranë dhe këtë ia ka bërë të ditur. Delegacioni e paralajmëron qeverinë shqiptare se projekti i saj bie ndesh me ligjet e BE-së, ndërkohë që vendi pas hapjes së negociatave duhet të punojë për përafrimin e legjislacionit me atë të Unionit. Ky projekt është një rrezik për Shqipërinë dhe për Unionin, thekson delegacioni.

“Komisioni ka ndërmarrë masa të forta kundër skemave të shtetësisë për investitorët brenda dhe jashtë BE-së. Komisioni i konsideron këto skema në kundërshtim me ligjet e BE-së, pasi ato shkelin parimin e bashkëpunimit të sinqertë dhe konceptin e shtetësisë së BE-së”.

Ndërkohë, rreziqet që përmend delegacioni kanë të bëjnë me faktin që përmes një skeme të tillë, mund të sjellë në Shqipëri njerëz të krimit të organizuar, pastrimit të parave, evazionit fiskal dhe korrupsionin nëpërmjet “aplikantëve të mundshëm nga vendet e treta”.

Gjithashtu delegacioni nënvizon se aplikimi i këtyre skemave nga vendet e treta me qasje pa viza në Bashkimin Evropian e shqetësojnë Unionin. Kjo pasi:

“Mund të përdoren për të anashkaluar procedurën e rregullt të vizave për qëndrim të shkurtër të BE-së dhe vlerësimin e thelluar të rreziqeve individuale migratore dhe të sigurisë që kjo sjell”.

Vendimin qeveria  e ka marrë ndërkohë që Komisioni Europian u ka rekomanduar shteteve anëtare të BE-së që të ndërpresin menjëherë skemat e shtetësisë për investitorët, duke e lidhur këtë në kontekstin e agresionit rus ndaj Ukrainës.

Në këtë reagim që Delegacioni i BEsë në Tiranës e ka dhënë për Birn, saktëson se Komisioni Evropian do të vazhdojë të ndjekë çdo zhvillim që lidhet me futjen e mundshme të një skeme të shtetësisë për investitorët në Shqipëri. /abcnews.al