Sa rrezik përbën për botën varianti i ri “Centaurus”

schedule11:27 - 17 Gusht, 2022

schedule 11:27 - 17 Gusht, 2022

Ndërsa vendet presin reduktimin e rasteve të COVID-19 të shkaktuara nga varianti Omicron, ose BA.5, studiuesit në mbarë botën janë në kërkim të asaj që do të ndodhë më pas.

India shënoi rritje të rasteve për shkak nënvariantit të Omicron i quajtur BA.2.75 ose “Centaurus”. Disa shkencëtarë po japin alarmin, ndërsa të tjerë thonë se varianti nuk ka gjasa të përhapet gjerësisht.

Në një artikull, në revistën prestigjioze shkencore ndërkombëtare Nature, janë publikuar disa të dhëna. Nënvarianti BA.2.75 ose Centaurus është identifikuar në më shumë se 20 vende në mbarë botën, por po rritet me shpejtësi kryesisht në Indi.

Studiuesit atje kanë zbuluar më shumë se 1000 mostra të variantit që nga maji. Të dhënat tregojnë se afërsisht dy të tretat e rasteve të reja në këtë vend shkaktohen aktualisht nga BA.2.75. Ky variant dukej se kishte një avantazh transmetimi ndaj BA.5.

Një seri studimesh kanë treguar se dy variantet, Omicron 5 (BA.5) dhe ‘Centaurus’, kanë aftësi afërsisht të ngjashme për të shmangur imunitetin e siguruar falë infeksionit dhe vaksinimit.

Kjo sugjeron që Centaurus nuk mund të përhapet jashtë Indisë, të paktën jo ndërsa imuniteti i popullatës është i lartë. Deri më tani, BA.2.75 është zbuluar në shumë pak vende jashtë  Indisë, në vende të tilla si Japonia, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuara, raporton abcnews.al.

Ne po arrijmë në një pikë ku këto variante po konkurrojnë disi me njëra-tjetrën dhe janë pothuajse ekuivalente. Kështu, njerëzit që kanë qenë të infektuar me  BA.5 nuk kanë gjasa të infektohen me BA.2.75 dhe anasjelltas.

Studimet laboratorike të publikuara gjatë kohëve të fundit mbështesin këtë ide. Në të vërtetë, të dy variantet kanë një aftësi të ngjashme për të shmangur antitrupat e shkaktuar nga vaksinimi dhe infeksioni i mëparshëm.

Në vitin 2021, India përjetoi një valë shpërthyese rastesh të shkaktuara nga varianti Delta. Nga të dhënat në Indi, varianti Centaurus nuk ka rritur normat e shtrimit në spital apo të viktimave.

Efektet e kombinuara të shkallës së lartë të vaksinimit dhe infeksionit të mëparshëm sigurisht që janë një ndihmë. Imuniteti do t’i mbrojë dhe do të ndihmojë që njerëzit të mos kenë nevojë të shtrohen në spitale.

Por ndërsa BA.2.75 nuk është përhapur ende gjerësisht, mund ta bëjë këtë në të ardhmen. Disa sekuenca të BA.2.75 përfshijnë një mutacion të gjetur në BA.5 të quajtur L452R, i cili, për fat të keq, mund të rrisë aftësinë e nënvariantit për riinfektim.

Edhe nëse shkalla e shtrimit në spital dhe e vdekjeve mbeten të ulëta në një valë të shkaktuar nga varianti Centaurus, frekuenca e lartë e valëve të reja të infeksionit mund të nënkuptojë rritjen e rasteve.

/abcnews.al