Holanda dhe Britania e madhe votojnë sot në kuadër të zgjedhjeve euro-parlamentare. Parashikimet për këtë proces janë që e majta dhe e djathta të humbin shumicën përballë ekstremistëve, për herë të parë që prej vitit 1979.
Zgjedhjet evropiane do të ndryshojnë krejtësisht ekuilibrat politikë në gjirin e Bashkimit Evropian. Për herë të parë pas shumë vitesh, qendra e djathtë dhe e majtë evropiane nuk do kenë më shumicën në Parlamentin Evropian. Humbësja më e madhe e këtyre zgjedhjeve sipas sondazheve pritet të jetë qendra e majtë, por edhe qendra e djathtë pritet të shënojë rënie të konsiderueshme. Tre janë pyetjet që shtrohen sot në ditën e parë të zgjedhjeve evropiane:
A do të ketë një fitore të thellë të të djathtës ekstreme? Çfarë ndikimi do të ketë kjo në politikën e zgjerimit dhe a do të arrijnë të gjelbërit të bëhen forca e tretë në nivelin evropian për të ndryshuar axhendën evropiane në mbrojtjes të planetit dhe të ambientit? Qytetarët e Holandës dhe Mbretërisë së Bashkuar votojnë sot.
Kjo do të jetë hera e parë që qendra e majtë (S&D) dhe e djathtë (EPP) e Parlamentit Evropian do të humbasin shumicën e tyre absolute që prej vitit 1979. Së bashku, ato pritet të humbasin 50 % të vendeve në Parlamentin Evropian.
Kjo komplikon formimin e një mazhorance, që duhet të ndërtohet tashmë edhe me grupime të tjera. Si rrjedhim, vendimmarrja në institucionin e përfaqësuesve të popullit bëhet më e vështirë dhe bashkë me të edhe zgjedhja e presidentit të Komisionit Evropian. Por ky ndryshim ekulibrash do të ndikojë edhe në politikën e zgjerimit në Bashkimin Evropian.
Kjo pasi janë këto ekuilibra forcash politike që kanë një ndikim të drejtpërdrejtë tek përcaktimi i zgjerimit si prioritet ose jo për 5 vitet e ardhshme të legjislaturës evropiane. Zgjerimi mbetet një proces i gjatë dhe i vështirë në rendin e ditës, por kjo mund të ndryshojë nëse Mbretëria e Bashkuar largohet nga Bashkimi Evropian.
Ndërkohë, një fitore e konsiderueshme e të gjelbërve në nivel evropian është mbështetje edhe për zgjerimin, duke qenë se ky grup ka favorizuar gjithnjë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në BE./ABC News Albania 24/7