Gjykata e Shkallës së parë Durrës ka vendosur që të ekstradojë në Itali Hajri Seferin, ndërmjetësi i grupeve kriminale me bandën e “Avdylajve” të Shijakut . Seferi ka kundërshtuar ekstradimin duke e apeluar vendimin në Gjykatën e Apelit Durrës. Vendimin përfundimtar për ekstradimin do ta marrë Ministria e Drejtësisë.
I arrestuar në kuadër të operacionit “Vol-vo 4” Hajri Seferi apelon kundër ekstradimit në Itali. Gjykata e shkallës së parë Durrës ka vendosur pro ekstradimit të tij drejt Italisë, ndonëse ky i fundit dhe avokati Armand Tragaj e kanë kundërshtuar atë. Avokati i Seferit pretendon se duke qenë se ai ka një hetim në Shtetin Shqiptarë, nuk mund të pranohet kërkesa për ekstradim. Kundra këtij vendim është bërë apelimi në Gjykatën e Apelit Durrës, kërkesë që nuk është shqyrtuar akoma.
Megjithatë gjykatësi i Durrësit, Paulin Ceraj ka pranuar ekstradimin me argumentin se vendimi përfundimtarë është në dorën e ministres së drejtësisë Etilda Gjonaj. Ministrja do të vendosë nëse do e dorëzojë përkohësisht personin e kërkuar nga italianët që në vitin 2016 apo do ta pezullojë ekstradimin deri sa të përfundojë hetimi nga Prokuroria për Krime të Rënda, edhe pse gjykata e shkallës së parë Durrës i ka hapur rrugën ekstradimit të Hajri Seferit.
Seferi konsiderohet si ndërmjetësi i grupeve kriminale me bandën e “Avdylave”, të Shijakut. Ky person është edhe pjesë e “dosjes së famshme 339”. Hajri Seferi është duke u hetuar nga Prokuroria për Krime të Rënda për akuzat e “trafikut të narkotikëve kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Krijim i grupit Kriminal”.ABC News Albania 24/7