Edhe pse nuk është pjesë e BE, Shqipëria firmosi një marrëveshje me FRONTEX për të monitoruar kufirin Greko-Shqiptar. 50 oficerë do të jenë të instaluar në pikat e kalimit kufitar, ndërsa të pranishëm në Tiranë ishin Eurokomisioneri Dimitris Avramopulos dhe kreu i misionit FRONTEX, Abrice Leggeri.
Emigrantët e jashtëligjshëm që shfrytëzojnë kufirin e gjelbër Shqiptaro-Grek, nga e mërkura duhet të mendohen dy herë për të ndërmarrin një veprim të tillë. 50 oficerë të FRONTEX, Agjencia Evropiane e Rojave Kufitare dhe Bregdetare ishin të pranishëm në Tiranë.
Për herë të parë u arrit një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Bashkimin Europian, pavarësisht se vendi ynë nuk është anëtar i saj.
“Qëllimi kryesor është të kemi në kufirin tokësor me Greqinë prezencën tonë. Objektivi lidhet me një monitorim edhe më të mirë për sa i përket emigracionit te jashtëligjshëm që nis nga Greqia në drejtim të veriut të Shqipërisë. Janë edhe disa aktivitete të jashtëligjshme si për shembull trafiqe që zhvillohen në kufi. Ne duam te ndihmojmë forcat shqiptare ligj-zbatuese dhe autoritetet e kufirit. Ne do të kemi në terren 50 oficerë kufiri që vinë nga 12 vende anëtar të BE, si edhe automjete patrullimi përgjatë kufirit tokësor mes Shqipërisë dhe Greqisë”.
Gjatë ceremonisë Kryeministri Edi Rama, pohoi se misioni FRONTEX në Shqipëri është një shenjë vlerësuese e BE-së për Shqipërinë.
“Arsyeja tjetër është personale. Për faktin se këtu sot jam me një mik, që në disa role ka treguar me vepra dhe jo me fjalë një miqësi shumë të sinqertë jo thjesht ndaj meje personalisht, Dhimitri Avramopoulos, pa të cilin që edhe ky projekt i rëndësishëm, që sot nis të jetësohet, zor se do të ishte imagjinuar dhe jo më të ishte realizuar”.
Duke iu përgjigjur interesit të mediave, komisioneri Dimitris Avramopoulos komentoi vendimin e parlamentit në Holandë për kthimin e vizave me qytetarët shqiptarë. Ai tregoi se si do të veprohet më tej nëse një kërkesë e tillë mbërrin në Komision.
“Ne nuk bëjmë komente për atë që vendoset në nivelin e vendeve anëtare, por për derisa thelbi kryesor ka të bëjë me mekanizimin për pezullimin e vizave, që ka interes të madh për ju, më lejoni t’u them se Komisioni nuk ka marrë asnjë njoftim që kërkon pezullimin e vizave. Për asnjë vend në Europë që përfiton. Nëse mund të ndodhë në të ardhmen, më besoni se do të bëjmë një analizë të kujdesshme nëse një veprim i tillë do të duhet të merret apo jo në përputhje me procedurat dhe informacionin që ka të bëjë me rrethanat specifike të një vendi të BE”.
Më tej Komisioneri i BE-së vlerësoi punën e autoriteteve shqiptare për të ndalur fluksin e azilantëve në vendet e BE-së, por shtoi se duhet bërë akoma më shumë. Avramopulos kërkoi që të njihen reformat që ka ndërmarrë vendi në prag të hapjes së negociatave.
“Kjo marrëveshje e afron Shqipërinë me BE-në. Nga ana e BE-së ne e kemi dhënë këtë rekomandim në 2018 për çeljen e negociatave dhe i qëndrojmë atij. Siç e dini në fund të fundit është Këshilli ai që e merr vendimin për çeljen e negociatave. Që prej qershorit të shkuar Shqipëria ka bërë progres në lidhje me reformën në drejtësi, luftën ndaj krimit të organizuar dhe kanabisit dhe kjo duhet pranuar, duhet njohur. Por ky progres duhet të jetë i qëndrueshëm. Punë duhet për të ndalur numrin e aplikimeve të pabaza për azil, dhe unë shoh angazhimin e autoriteteve shqiptare për ta arritur këtë”.
Sipas ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, operacioni i përbashkët i FRONTEX, kontribon në mënyrë të drejtpërdrejt për kompesimin e forcave të limituara të policisë së shtetit. /ABC News Albania 24/7


