Kryeministri spanjoll në Beograd: Mbështesim Serbinë kur bëhet fjalë për Kosovën

schedule22:39 - 29 Korrik, 2022

schedule 22:39 - 29 Korrik, 2022

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez ka shprehur mbështetjen për Serbinë, tëksa ndodhet në një vizitë zyrtare në Beograd.

Ai është pritur për një takim nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të cilin, sipas mediave serbe, e ka siguruar se Spanja e mbështet Serbinë kur bëhet fjalë për Kosovën.

“Ne mbështesim Serbinë kur është fjala për Kosovën. Spanja ishte dhe do të jetë gjithmonë me Serbinë në mbrojtje të këtij parimi”, ka thënë Sanchez në një konferencë të përbashkët me Vuçiç.

Sanchez ka thënë se marrëdhëniet mes Spanjës e Serbinë janë të shkëlqyera, me synimin që shkëmbimi tregtar të arrijë në nivele tjera.

Nga ana tjetër, Vuçiç ka thënë se Spanja është mike e sinqertë e Serbisë.  ”I dashur mik, të gjithë të duan në këtë vend, nuk do të gjesh një person të vetëm që nuk mendon kështu”, ka thënë ai.

Spanja është një prej pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Përkundër përpjekjeve diplomatike ndër vite, Spanja nuk është luhatur nga qëndrimet e saj për çështjen e Kosovës.

Kujtojmë se vizita, e Pedro Sanchez është në kuadër të një turi që ai ka nisur në Ballkanin Perëndimor. Kryeministri spanjoll e ka nisur në Serbi, më pas do të vizitojë Malin e Zi, Bosnjë Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.