Marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, që parashikon administrimin e këtij parku ka krijuat debate mes mazhorancës dhe opozitës.
Kjo e fundit e sheh me dyshime këtë marrëveshje, duke pretenduar se fondacioni për menaxhimin e Butrintit është një mjet përmes të cilit qeveria do të korruptojë shqiptarët, ndërsa theksojnë se anëtarët e bordit nuk interesohen për trashëgiminë kulturore të vendit tonë.
Midis personave të politikës dhe jo vetëm që janë rreshtuar kundër marrëveshjes është edhe aktori Florjan Binaj.
Lexo edhe: Debati për Butrintin, Hodges paralajmëron në Log: Për 30 vite gjysma e Parkut do të fundoset nën ujë
Nëpërmjet një postimi në Facebook Binaj thotë se anëtari i bordit të Fondacionit për menaxhimin e Parkut të Butrintit, Richard Hodges është një antishqiptar që flet hapur kundra trashëgimisë.
“Një person që është zgjedhur nga qeveria dhe që paguhet nga taksat tona për të na shërbyer”, shkruan Binaj në Facebook.
Krahas shkrimit Binaj ka postuar një video ku Hodges thotë se Shqipëria ka qënë një vend artificial i krijuar pa asnjë shqiptar në të në 1913-ën nga fuqitë e mëdha dhe se grekët janë përzënë nga
Butrinti e nga jugu nga shqiptarët dhe se këta të fundit i kanë sjellë fuqitë e mëdha.
Postimi i plotë i aktorit
“Ky që thotë që Shqipëria paska qënë një vënd artificial i krijuar pa asnjë shqiptar në të në 1913-ën nga fuqitë e mëdha dhe që grekët qënkan përzënë nga Butrinti e nga jugu nga shqiptarët dhe që këta të fundit i paskan sjellë fuqitë e mëdha, ky quhet Richard Hodges dhe këtë, e ka përzgjedhur qeveria për të drejtuar parkun Kombëtar të Butrintit, trashgiminë tonë kulturore për 10 vitet e ardhshme në një kontratë ta papranueshme për arkeologët e nderuar të vëndit tonë…Një antishqiptar që flet hapur kundra trashgimisë tonë i zgjedhur nga qeveria që paguhet nga taksat tona për të na shërbyer….A do guxonte të fliste kundra grekëve në Athinë ose kundra Romakëve në Romë një qënie e tillë??Nuk mendoj se do guxonte ta mendonte…Po në Shqipëri, këta njerëz gjejnë frymëzim pasi koha ka dëshmuar që ata që e drejtojnë vëndin tonë, kanë qënë gjithmonë të gatshëm të falin copa toke të këtij kombi për dy pëllëmbë karrige..”
Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit është krijuar me një marrëveshje mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, AADF, një korporatë jofitimprurëse e regjistruar në Delaware të Shteteve të Bashkuara, i cili ka mbështetur dhe hartimin e planit të biznesit për menaxhimin e Butrintit.
Opozita ka ngritur si shqetësim transparencën e këtij menaxhimi, duke e cilësuar një kontratë koncensionare mbi një pasuri kombëtare dhe përfshirjen e AADF-së në menaxhim si konflikt interesi, pasi më herët ky fondacion ka financuar ekspertizën për ndryshimin e ligjit për trashëgiminë kulturore dhe hartimin e planit të biznesit
/abcnews.al/