Presidenti amerikan, Joe Biden ka rezultuar negativ me koronavirus, pas testimeve të bëra të martën mbrëma dhe mërkurën në mëngjes.
“Kthim në Zyrën Ovale”, shkroi ai në Twitter, pasi Shtëpia e Bardhë publikoi përditësimin e fundit nga mjeku i tij, duke konfirmuar se ai kishte rezultuar negativ dhe tani mund t’i jap fund periudhës së izolimit.
Biden, 79 vjeç, rezultoi pozitiv javën e kaluar.
Postimi i Bidenit përfshin një foto të një testi të shpejtë COVID-19, i cili tregon rezultatin negativ pas testimit.
“Faleminderit doktor për kujdesin dhe të gjithë juve për mbështetjen”, thuhet në postimin e presidentit në Twitter.
Back to the Oval.
Thanks to Doc for the good care, and to all of you for your support. pic.twitter.com/Cfzn1zAKJF
— President Biden (@POTUS) July 27, 2022
Presidenti amerikan, Joe Biden, ishte infektuar me koronavirus më 21 korrik.
Biden është i vaksinuar plotësisht kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi, si dhe ka marrë dy doza përforcuese të vaksinës.
Për koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.
Nënvarianti Omicron i koronavirusit – BA.5 – përhapet tejet lehtë dhe së fundi është duke nxitur një valë të re të infektimeve në Shtetet e Bashkuara./REL/