“Amnistia fiskale për çunat e Londrës”, Kraja: Skemë që nxit evazionin fiskal dhe korrupsionin

schedule19:48 - 22 Korrik, 2022

schedule 19:48 - 22 Korrik, 2022

Prej ditësh euro është në një rënie rekord. Ekonomisti Akil Kraja thotë se kjo situatë me monedhën e eurozonës ka ardhur për shkak të informalitetit. Në një intervistë për “Radar Informativ” me Juli Xhokaxhi, Kraja tha se kjo para investohet kryesisht në tregun imobilar që ka sjellë edhe rritjen e çmimeve.

“Rënia e euros vjen për shkak të qarkullimit të parasë informale. Studimet më fundit flasin 30-40% të ekonomisë informale. Janë para që vijnë nga krimi që investohen kryesisht në tregun imobilar. Ky është realiteti. Është nivel rekord”, deklaroi Kraja.

Duke u ndalur tek nisma e qeverisë për Amnistinë Fiskale, ekonomisti tha se nuk do të sjellë me shumë taksa, sikurse thuhet. Kraja shprehet se kjo amnisti nuk ka të bëjë me emigrantët dhe se është skemë që do të nxisë evazion fiskal dhe korrupsion. Sipas tij, nga amnistia do të përfitojnë të afërmit e politikanëve.

“Amnistia fiskale nuk do të sjellë më shumë taksa. Kur një sipërmarrësi i kërkohet të paguajë taksat dhe ai ka akses në paratë e drogës, ai nuk paguan taksa, njëri gjobitet, tjetri mbështetet. Kjo është konkurencë e pandershme. Kam përshtypjen se amnistia fiskale do të shkojë për inceneratorët.

Ndërkombëtarët janë shprehur kundër nismës. Është një metodë për të mos paguar taksa. Kjo s’ka të bëjë me emigrantët e thjeshtë, ka të bëjë me “cunat e Londrës”. Nxit më shumë ekonomi informale, evazionin fiskal dhe korrupsionin. Amnitia që po bën Rama nuk është e zbatuar në vende të tjera. nga kjo amnisti mund të përfitojnë të afërmit e politikanëve”, tha ai. g.v/abcnews.al