Gjatë emisionit Log. në të cilin ishte i ftuar Kryenegociatori i Shqipërisë me BE Zef Mazi, gazetari Endri Xhafo citoi një pasazh nga fjala e Ursula von der Leyen në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë Rama, kryeministrin e RMV Kovaçevski dhe kryeministrin e Çekisë Fiala, e cila në fjalën e saj përmendte arritjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor: ” …keni zbatuar shtetin ligjor, keni median e lirë, keni një shoqëri civile të gjallë, keni bërë shumë reforma dhe keni modernizuar ekonominë tuaj…”.
“Ndërsa po e dëgjoja”, tha Xhafo, “po mendoja se me kë e ka me Shqipërinë? Kë duhet të besojmë, këto që thotë zonja von der Leyen, apo raportet e DASH, të Reporterëve pa Kufij? Çfarë ka ndodhur me skepticizmin e kryeministrit holandez Mark Rutten, çfarë ka ndodhur me 15 kriteret e Bundestagut gjerman dhe të Parlamentit europian”?
Gazetari Skënder Minxhozi u përgjigj se çështja ishte qartas politike dhe biseda të mos largohej nga personi i Mark Rutte. “Po të shikohet sesa hileqare dhe politike është politika europiane ndaj nesh, shikoni Mark Rutte, shtoi Minxhozi, dhe e keni kuptuar këtë politikë”.
Zef Mazi u përgjigj që është një dokument të cilin e kanë miratuar të tërë shtetet e BE. “Është demonstrim pa ekuivok, sipas tij, që Bashkimi Europian i jep rajonit dhe që BE mbetet i angazhuar në mënyrë të thellë për ta vazhduar këtë proces. Shqipëria, duke qenë pjesë e procesit nga viti 2014 dhe, në bazë edhe të një dokumenti të vjetshëm publikuar në 12 maj, i cili thotë se Shqipëria e ka treguar vendosmërinë e saj të madhe me reformat dhe axhendën dhe i ka plotësuar saktë të 15 kushtet, – madje nuk janë pesëmbëdhjetë kushte, janë katër kushte dhe njëmbëdhjetë kërkesa, – të gjitha këto i ka plotësuar një për një. I gjithë qëndrimi i shteteve anëtare ka ndryshuar, të paktën që vitin e kaluar më 12 maj, rruga e Shqipërisë drejt BE-së ka marrë një tjetër kthesë”, theksoi kryenegociatori Mazi.
Ndërsa përsa i përket se sa ka ndikuar në vendimmarrje situata gjeopolitike me luftën në Ukrainë, Zef Mazi u përgjigj se “kam qenë i mendimit që lufta në Ukrainë do të ishte si dy anët e një medalje, që mund ta përshpejtonte procesin apo ta ngadalësonte atë. Por në rastin e Shqipërisë e ka shpejtuar procesin për mendimin tim”. /Abcnews.al