Tre herë i arrestuar dhe 6 vite në burg, autoritetet italiane: Dëbohet shqiptari, tregtar i rrezikshëm droge

schedule08:19 - 21 Korrik, 2022

schedule 08:19 - 21 Korrik, 2022

Një shqiptar i dënuar vazhdimisht nga Gjykata e Pesaros për trafik droge është dëbuar përfundimisht nga Italia.

“Dëbohet një tregtar i rrezikshëm droge”, kështu cilësohet shqiptari nga autoritetet italiane.

Stafi i Zyrës së Emigracionit të Komisariatit të Policisë Pesaro dhe Urbino ka zbatuar një  dekret për shoqërimin e tij të lëshuar  nga Komisari i Policisë Raffaele Clemente.

“Është subjekt i dedikuar për trafikun dhe tregtimin e drogës, i dënuar disa herë nga Gjykata e Pesaros. Burri, i cili hyri në Itali në vitin 2002, u dëbua për herë të parë në vitin 2008 pas dënimeve për trafik droge. Pasi lidhi martesë me një shtetase italiane, ai hyri sërish në Itali, duke rifilluar aktivitetin e tij delikuent. Ai në fakt është arrestuar në tre raste të veçanta edhe për posedim të sasive të konsiderueshme të lëndës narkotike të llojit kokainë.”

Pas vuajtjes së një dënimi total prej 6 vitesh burgim , ai doli nga burgu në vitin 2019 dhe duke qenë se konsiderohej si person i rrezikshëm për shoqërinë, u firmos dëbimi i tij nga territori kombëtar, masë e pashoqëruar deri në kufi për mungesë të një pasaporte.

Kur shqiptari paraqiti një tjetër kërkesë për të marrë lejen e qëndrimit, Kuestori i Pesaros dhe Urbinos e refuzoi atë, duke nisur procedurën e dëbimit, me kusht që të vleftësohej nga Gjykata e Paqes Pesaro. Shqiptrai u shoqërua deri në kufirin ajror të Bolonjës me destinacion Tiranën./Abcnews.al/