Nga Ema Shazivari
10-15 fëmijë rezultojnë cdo ditë pozitivë me covid gjatë kësaj periudhe. Mjekët e qendrave shëndetësore po përballen me një fluks të lartë vizitash të fëmijëve.
Entela Kostaqi, pediatrja e Qendrës shëndetësore 1 në Tiranë thotë se gjatë një ditë kryen rreth 30 vizita në ditë. Në krahasim me vitin e kaluar, thotë se ato janë dyfishuar.
“Këtë periudhë kemi pasur një fluks të shtuar për sa I përket vizitave pediatrike. Kryesisht kemi pasur infeksione virale, dhe midis tyre kemi pasur edhe fëmijë me covid. infeksionet janë kryesisht gastroitenstinale, por kemi pasur edhe shumë të traktit respirator. Në këtë periudhë kryhen 20-30 vizita në ditë. Krahasuar me vitin e kaluar kemi një rritje, por këtë vit është future dhe covid në mes. Kemi pasur edhe infeksione të ndryshme të lëkurës.”
Shtim të pacientëve të vegjël me Covid ka dhe në spitalin pedriatik. Në pavionin infektiv ndodhen të shtruar 15 fëmijë. Fatmirësisht asnjë nuk ndodhet në gjendje kritike.
Temperatura dhe dhimbja e kokës janë simptomat më të shpeshta tek fëmijët e prekur nga varianti Omicron, i cili po qarkullon më së shumti.
“Një nga format klinike që shfaqin fëmijët është temperatura. Ne nuk I kemi dërguar të gjithë fëmijët për teste, por një pjesë e mirë e atyre që kemi dërguar na kanë rezultuar pozitiv. Në përgjithësi paraqiten me një temperaturë të lartë e cila është agresive, një temperaturë 39-40 e cila qendron për 2 tre ditë dhe pastaj largohet. Është e shoqëruar me dhimbje koke, dhimbje fyti, dhe ndjesinë e lodhjes dhe këputjes.”
Interesi për tu vaksinuar tek fëmijët mbi 12 vjeç është i pakët. Mjekja thotë se vetëm disa kategori fëmijësh janë detyruar të bëjnë vaksinat.
“Interesi ka qen i vakët. Nuk është se e kemi promovuar shumë, vetëm tek fëmijët me sëmundje të tjera kronike. Fëmijë me diabet, fëmijë me sëmundje kardio respiratore, këta po i kemi të vaksinuar.”
Covid tek fëmijët mjekohet me takipirinë, dhe sasi të shtuar të lëngjeve. Të rralla kanë qenë rastet kur fëmijët kanë pasur komplikacione./abcnews.al/