Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Maqedoni e Veriut, Presidenti Pendarovski bën betimin

schedule20:12 - 12 Maj, 2019

schedule 20:12 - 12 Maj, 2019

Stevo Pendarovski ka bërë të dielën betimin si president i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në fjalën e tij, të mbajtur në një seancë të posaçme parlamentare, Pendarovski ka deklaruar se prioritetet e tij do të jenë integrimi, fqinjësia e mirë dhe sfidat e brendshme të vendit.

Seancën e inaugurimit të Presidentit të ri Stevo Pendarovski, konform ligjit, Kryeparlamentari Talat Xhaferi e zhvilloi në gjuhën shqipe. Më pas Presidenti i ri dha betimin solemn. Në vazhdim nënshkroi deklaratën solemne. Në fjalimin e tij drejtuar kombit, Pendarovski para të pranishmëve në seancën solemne të inaugurimit, ka theksuar se do t’i respektojë të gjithë qytetarët e vendit, dhe se do të jetë president i të gjithëve.

“Si president do të angazhohem në përpjekjet diplomatike për përfundimin e procesit të anëtarësimit tonë fuqiplotë në NATO dhe negociatave për anëtarësim në BE, ku do të insistoj të kyçen mendjet më të ndritura që ka ky vend, pavarësisht nëse vijnë nga opozita, Organizatat jo-qeveritare, apo nga radhët e ekspertëve të pavarur”, deklaroi Pendarovski.

Pendarovski në fjalimin e tij ka theksuar se vendi ka dy prioritete; rritjen ekonomike dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Për përgjigje të suksesshme ndaj këtyre dy sfidave edhe pushteti, edhe opozita dhe sektori i biznesit duhet të punojnë së bashku sepse nuk ka prosperitet, nëse më të mirët e gjeneratës dëshirojnë të punojnë kryesisht në administratën shtetërore ose largohen nga këtu, përderisa në sektorin privat mungojnë kuadrot e kualifikuar”, deklaroi ai.

Marrëdhëniet e mira me pesë fqinjët dhe bashkëpunimi produktiv rajonal, për Presidentin e ri Stevo Pendarovski, janë një parakusht thelbësor për zhvillimin e një vendi me shtrirje specifike gjeografike.

Stevo Pendarovski, president i RMV-sw:

“Marrëveshjet për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe Greqinë, janë një shembull i mirë se si me guxim politik dhe lënien pasdore të stereotipeve historike është e mundshme të mbrohen interesat kombëtare por njëkohësisht të promovohen edhe interesat strategjike të vendit”, theksoi Presidenti i ri.

Ndërkaq, në vilën presidenciale në Shkup, me nderime të larta ushtarake dhe shtetërore u mbajt edhe ceremonia zyrtare e pranim-dorëzimit të funksionit Kryetar i Shtetit.

President i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta, ai i Bullgarisë Rumen Radev, Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ishin  prezent në inaugurimin e presidentit të pestë të Maqedonisë së Veriut , Stevo Pendarovski.

Ceremonia u mbajt në Kuvend ku kishte dhe personalitete të tjera të shumta nga rajoni dhe vendi, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe të trupit diplomatik./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!