Politikanët shqiptarë kanë uruar festën e Kurban Bajramit për të gjithë besimtarët myslimanë.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, përmes një mesazhi në Facebook ka uruar besimtarët myslimanë. “Festa e Kurban Bajramit është një shenjë jo vetëm e përkushtimit fetar, por edhe e sakrificës, e mirësisë dhe e devotshmërisë njerëzore”, shkruan Nikolla.
“Me rastin e festës së Kurban Bajramit, u uroj të gjithë besimtarëve myslimanë shëndet e bekime në familjet e tyre. Kurban Bajrami është tashmë një festë popullore, që i kapërcen kufijtë e besimit dhe të komunitetit mysliman, bashkë me të cilin gëzojnë të gjithë shqiptarët. Mozaiku, respekti dhe harmonia fetare e Shqipërisë dhe shqiptarëve është një mundësi për më shumë gëzime e mirënjohje. Festa e Kurban Bajramit është një shenjë jo vetëm e përkushtimit fetar, por edhe e sakrifices, e mirësisë dhe e devotshmërisë njerëzore. Është një thirrje për respektimin e dinjitetit njerëzor dhe lehtësimin e vuajtjeve të të varfërve, të dobtëve dhe atyre që kanë më shumë nevojë. Shëndet, gëzime e bekime për të gjithë!”, shkruan në mesazhin e saj Nikolla.
Ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha shkruan se me besim në Zot kalohet çdo sprovë.
“Mesazhi i Kurban Bajramit dëshmon se nuk ka sprovë që nuk kalohet me besim tek Zoti. Të dashur vëllezër dhe motra besimtarë myslimanë, nga zemra ju uroj, Gëzuar Festën e Sakrificës, këtë kremtim të shenjtë të fuqisë së besimit tek Krijuesi. Sjelltë kjo festë sa më shumë gëzim, hare, shëndet e harmoni, për gjithsecilin prej jush dhe familjet tuaja! Zoti qoftë pranë shqiptarëve, u lehtësoftë ditët e vështira e u ndriçoftë të ardhmen”, shkruan Basha në Facebook.
Presidenti Meta i është bashkuar urimeve për Kurban Bajramin.
“Gëzuar Kurban Bajramin! Mirësi dhe begati në çdo familje shqiptare! Lutje të pranuara”, shkruan Meta në Facebook.
Ish-kryeministri Sali Berisha është lutur për gëzim, shëndet dhe gëzim për mbarë kombin shqiptar.
“Gëzuar Kurban Bajramin. Miq, sot besimtarëve musliman ju urojmë nga zemra, Gezuar Kurban Bajramin. Së bashku le t’i lutemi Zotit të madh që çdo sakrificë dhe lutje tonë dhe të mbarë shqiptarve t’a pranojë dhe të na shpërblejë në mirësi, gëzime, shëndet dhe sukses, për ne, familjet tona dhe mbarë kombin shqiptar. Gëzuar”, shkruan Berisha në Facebook.
/Abcnews.al/