Romela Begaj medalje ari në shkëputje në botërorin e peshëngritjes

schedule13:18 - 3 Dhjetor, 2017

schedule 13:18 - 3 Dhjetor, 2017

Romela Begaj arriti një sukses të madh në kampionatin botëror të peshëngritjes. Ajo u shpall kampione dhe nënkampione e botës në garën që u zhvillua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mrekullinë e la për ta bërë në moshën 31-vjeçare.
Romela Begaj hyri në historinë e peshëngritjes shqiptare dhe asaj botërore, duke u shpallur kampione dhe nënkampione e botës.
Triumfi i madh u arrit në Anaheim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në konkurrimin deri në 69 kg për femra, ku Begaj fitoi medalje ari në shkëputje, dhe argjend në dygarësh.
Në garë me kolumbianen Leidi Solis dhe amerikanen Marta Roxhers, shqiptarja ishte fare pranë suksesit maksimal, medaljes së artë në dygarësh, gjë që nuk e arriti dot vetëm për 4 kg.
Në shkëputje, stilin e saj të preferuar si ish-gjimnaste cirku, Romela ishte e pakapshme, duke realizuar çdo ngritje, fillimisht me 103 kg, pastaj me 105 dhe në fund me 107 kg, duke fituar titullin botëror.

Më dobët në shtytje, ku u rendit vetëm në vendin e pestë duke realizuar dy prova, dhe duke ngritur në fund 128 kg.
Me 235 kg në dygarësh, Begaj la pas amerikanen Roxhers, por u mund nga kolumbiania Solis.
Romela i shton dy medalje të tjera koleksionit të saj, që përfshin medalje ari, argjendi e bronzi në kampionatet europiane dhe në Lojrat Mesdhetare, si dhe vendi i katërt dhe i gjashtë në Lojrat Olimpike në Pekin në vitin 2008.

Përfaqësuesit meshkuj të Shqipërisë nuk arritën dot deri tek medaljet, edhe pse u paraqitën me dinjitet.
Erkand Qerimaj doli i katërti në stilin e shkëputjes në peshën deri 77 kg.
Shkodrani ngriti 155 kg në shkëputje dhe 187 kg në shtytje ku doli vetëm i nënti.
Gjithsej arriti 342 kg në dygarësh duke dalë i gjashti.
Ish-kampion i Europës, realizoi vetëm dy prova nga gjashtë gjithsej, nga një provë në secilin stil.
Po vend i katërt në shkëputje edhe për Briken Caljen.
Sportisti nga Shtërmeni ngriti 142 kg në stilin e tij më të mirë, pastaj doli i pesti në shtytje me 175 kg, dhe i katërti në dygarësh me 317 kg./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!