Paraditen e së premtes u zhvilluan homazhet në nderim të nëntetares së rënë në krye të detyrës në Letoni, Zarife Hasanaj. Përveç familjarëve dhe trupave ushtarake, në Pallatin e Kongreseve kanë shkuar edhe figura të rëndësishme të shtetit shqiptar për t’i dhënë lamtumirën e fundit.
Iu dha lamtumira e fundit nëntetares Zarife Hasanaj e rënë krye të detyrës në Letoni. Homazhet u zhvilluan në orën 10 të paradites, ndërsa arkëmorti i mbuluar me flamurin kombëtar u vendos në hollin qendror të Pallatit të Kongreseve.
Ishin fillimisht familjarët, e më pas kolegët, që i dhanë lamtumirën 32-vjeçares të shpallur të enjten “Dëshmore të Atdheut”, teksa u vendos që e premtja të jetë zi kombëtare. Sipas vendimit të Këshillit te Ministrave flamujt në të gjitha institucionet shtetërore u ulen në gjysmë shtizë.
Në homazhe morën pjesë zyrtarë të lartë pushtetit qendror dhe atij vendor. Kryeministri Edi Rama tha gjatë ceremonisë se në vend që ta shihnim Zarifen me fustan nusërie, po e përcjellim me flamurin kuq e zi.
“Ushtaraken, të ndjerën Zarife Hasanaj. Këtu në sytë e prindërve të saj që në vend të ishte me fustanin e nusërisë në pragun e derës në krahë të dhëndrit po e përcjellim me flamurin kuq e zi dhe krah Forcave të Armatosura. Në prani të motrave dhe të vëllait të saj pranë prindërve, ndjejmë boshllëkun e pangushëllueshëm. Në praninë e shokëve dhe shoqeve lidhur në besën e këtij flamuri që na jep nder për të cilin Forcat e Armatosura janë betuar të sakrifikojë jetën në mbrojtje të atdheut dhe amanetit që atdheu e ka të shkruar në pëlhurën kuq e zi i dëshmores më të re të Forcave të Armatosura të Republikës”.
Të përlotur gjatë fjalimit të tyre ishin edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, dhe gjeneral Bardhyl Kollçaku. Ata theksuan se Zarifja, ishte një nga efektivet më të mira, që vështira të zëvendësohet në të ardhmen.
“Prandaj sot, fjalët tona për ty e dashur Zarife, nuk do të arrijnë kurrë të plotësojnë atë boshllëk të madh njerëzor, që na le të gjithëve dhe të na çlirojë nga dhimbja e rëndë që ndjen sot babai yt i mirë, Muharremi, nëna jote e dhimbsur Rivja, vëllai Adriatik, motrat Valbona dhe Eduarta, por edhe miqtë e kolegët e tu, gjithsecili prej nesh që të njohëm”.
“Humbëm një ushtare krenare, kreshnike, të bukur, fisnike. Zarifja do na mungojë! Por ne, kolegët e saj, vajzat dhe djemtë, burrat dhe gratë e Forcës së Armatosur ndjejmë zërin e saj që na fletë: Zemrat lart! Kokën lart! Për detyrën, për nderin e Shqipërisë, për dinjitetin e kombit, ne kemi bërë betim mbi jetën tonë dhe me jetën tonë. Dhe ne e mbajmë besën! Ne e mbajmë betimin!”
Trupi i nëndetares Hasanaj u dërgua më pas të prehet pranë Dëshmorëve të Atdheut, në monumentit Nënë Shqipëri.
Zarife Hasani ndërroi jetë në Letoni mëngjesin e së hënës. Përveç 32-vjeçares, të plagosur mbetën dhe major Klodian Tanushi e rreshter Julian Kapaj. Sipas Mistrisë së Mbrojtjes Tanushi mësohet se është në gjendje të rëndë shëndetësore./ABC News Albania 24/7