Finalja e Ligës së Europës do të luhet mes Arsenalit dhe Çelsit. Suksesi I tyre do të thotë se të katër finalistët në kupat e Europës do të jenë nga Anglia.
Historia shkruhet kështu.
Për herë të parë në historinë e kupave të Europës, të gjithë finalistët do të jenë nga një vend i vetëm, Anglia.
Arsenali e Çelsi u kualifikuan për në ndeshjen fundore të Ligës së Europës, ashtu si Liverpuli e Totenhemi në atë të Championsit.
Dy skuadrat londineze kanë mundësi të fitojnë një trofe këtë sezon, ndërsa suksesin e arritën në mënyrë të ndryshme.
Të mbiquajturit “topçinjtë”, pra Arsenali, dominoi dhe fitoi me meritë edhe në stadiumin e Valencias, me trajnerin Unai Emeri që u ndodh përballë ish-ekipit të tij.
Anglezët triumfuan 4-2, edhe pse spanjollët kaluan të parët në avantazh me Kevin Gameiron.
Sulmuesi Pjer Emerik Obamejang ishte heroi i miqve, duke shënuar plot 3 gola, ndërsa një tjetër u realizua nga sulmuesi tjetër, Aleksandre Lakazetë.
Bashkë me fitoren e parë arritur në Londër, Arsenali e mundi kundërshtarin me shifrat 7-2, por gjithsesi do të duhet ta fitojë finalen, jo vetëm për një titull, por edhe për t’u kualifikuar për në Champions, sezonin tjetër.
“Arritëm një sukses të madh, por fakti është se nuk kemi fituar ende asgjë, – theksoi Emeri, – duhet të luajmë finalen. Gjithsesi, jam krenar për lojtarët e mi. Nuk ishte e lehtë të mundeshin Napoli dhe Valencia. Jam i lumtur për sulmuesit e mi, që na ndihmuan me golat, por edhe me lojën në mbrojtje”.
Çelsi e pati shumë më të vështirë ndaj Frankfurtit.
Ndonëse luajti në stadiumin e tij, “Stemford Brixh”, ndonëse kishte barazuar 1-1 në Gjermani, sërish iu deshën 120 minuta, madje edhe penalltitë.
Loftus-Çik kaloi vendasit në epërsi, por me të filluar pjesa e dytë i zakonshmi Luka Joviç barazoi për Ajntrahtin.
Londinezët fituan penalltitë 4-3, dhe u kualifikuan për në finale.
“Mendoj se e merituam finalen, edhe pse ishte shumë e vështirë, – tha Sarri, – Frankfurti është një skuadër e nivelit shumë të lartë. Nuk është e lehtë për ekipet angleze të arrijnë në finalet europiane, pasi këtu luhet më shumë se në vendet e tjera. Ka diferencë të madhe, dhe ritmi është më i lartë. Premier Liga është kampionati më i mirë në botë”.
Penalltia vendimtare u shënua nga ylli belg, Eden Hazar, i cili u pyet nëse finalja do të jetë ndeshja e tij e fundit me fanelën e Çelsit.
“Nuk e di se çfarë do të ndodhë, – u përgjigj belgu, – nëse do të jetë e fundit, do të bëj ç’mos që ta fitojmë, nëse jo, të shohim. E vërteta është se unë nuk po mendoj aspak për këtë gjë”.
Finalja e Ligës së Europës, Arsenal-Çelsi do të luhet në Baku të Azerbajxhanit, në 29 Maj./ABC News Albania 24/7