Pavarësisht se kanë shprehur keqardhje lidhur me rinovimin e sanksioneve amerikane, vendet e BE-së i kanë bërë të qartë Iranit se nuk pranojnë ultimatume.
Reagimi ka ardhur pasi Republika Islamike i ka dhënë 60 ditë kohë BE-së për ta mbrojtur nga efektet e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara.
Fuqitë evropiane kanë deklaruar se vazhdojnë t’i përmbahen marrëveshjes bërthamore iraniane, por refuzojnë çdo ultimatum që vjen nga Teherani për të parandaluar falimentimin e saj.
Irani njoftoi të mërkurën se kishte pezulluar dy kritere të marrëveshjes së vitit 2015, si përgjigje ndaj sanksioneve të rivendosura nga Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu, Republika Islamike kërcënoi se do të avancojë pasurimin e uraniumit nëse brenda 60 ditësh nuk mbrohet nga efektet e sanksioneve.
Por Bashkimi Europian, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania e kanë parë me shqetësim lëvizjen e fundit të Teheranit. Shefja e Politikës së Jashtme të BE dhe ministrat e Jashtëm të vendeve të sipërpërmendura kanë deklaruar se marrëveshja e 4 viteve më parë ishte një arritje e rëndësishme, që ishte në interes të të gjitha palëve.
“Ne i bëjmë thirrje Iranit që të vazhdojë të përmbushë zotimet e tij siç ka bërë deri më sot dhe të përmbahet nga çdo hap që mund të përshkallëzojë situatën”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të krye-diplomatëve evropianë.
Në të theksohet se Perëndimi do t’i përgjigjet Iranit në bazë të performancës së tij për përmbushjen e kritereve që rrjedhin nga marrëveshja. Gjithashtu, liderët evropianë kanë shprehur keqardhje edhe për rinovimin e sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara, por kanë shtuar se mbeten të vendosur për të mundësuar vijimin e tregtisë me Iranin./ABC News Albania 24/7