Pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë ditën e djeshme, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se kishin biseduar për domosdoshmërinë në lidhje me hapjen e plotë të kufirit me Shqipërinë dhe krijimin e një hapësire shqiptare pa kufi nën ombrellën e aleancën euroatlantike.
Për diplomatin Agim Nesho, pavarësisht përpjekjeve të liderëve lokalë të Ballkanit Perëndimor, rregullat i cakton Europa dhe do zgjidhet sipas kushteve të saj. Sipas tij, kjo është një aventurë e paprecedentë që nuk lejohet as nga e drejta ndërkombëtare.
Agim Nesho: Unë mendoj që është një retorikë që i shërben më tej atij patriotizmit shqiptar dhe vlerësimit ndaj asaj që ka ndodhur në Berlin. Unë mendoj që Berlini ka qenë shumë i prerë dhe i saktë duke thënë që “doni të vini në familjen tonë evropiane, këto janë konditat. Asnjë fuqi tjetër mund të përcaktojë rregullat e shtëpisë tonë”. Çfarë do përpjekjesh të bëjnë udhëheqësit lokalë me prioritet që kanë duke thirrur një forcë ose një forcë tjetër, kjo gjë i takon Europës dhe në një kuptim kjo gjë do të zgjidhet në Europë dhe sipas kushteve të Europës. Kjo është një aventurë sepse nuk e lejon ligji ndërkombëtar, sepse jo vetëm Kosova, e cila me këtë deklaratë prek Kushtetutën e saj edhe vë në rrezik atë që komuniteti ndërkombëtar i ka përcaktuar, nuk ka bashkim me vende të tjera, nuk ka sovranitet ndaj Serbisë më. Përmendja e zonave të ndryshme në territorin e Serbisë, ashtu si edhe një ide tjetër për heqjen e kufijve, sado patriotike të jetë, është e dëmshme për këto momente, për Kosovën sepse ka të bëjë me procesin e njohjeve dhe aderimin në OKB.
Mirela Milori: Nëse kjo ndodh përbën rrezik faktori shqiptar e pështjellon rajoni nëse do hapej kufiri Kosovë-Shqipëri?
Agim Nesho: Ne mund të duam që sot të bashkohemi të gjitha hapësirat ku jetojnë shqiptarët, por kjo nuk mund të ndodhë. Paprecedentët në të drejtën ndërkombëtare kanë një ligj dhe ndryshe do të veprojë si në një pyll të egër ku ligjin do e bëjë më i forti. Sot nuk lejohet sepse sot ka pasur një reagim shumë të fortë. Daciç ka thënë që kjo është një pështymë ndaj BE-së për arsye sepse prek çështja e kufijve. Vetë Europa nuk mund ta lejojë këtë precedent pastaj do fillojë Srpska Republika do kërkojë të hapë kufijtë, fillojnë të çmontohen dhe krijohet një konfiguracion i ri gjeopolitik. Fuqitë e tjera nuk do jenë indiferente tani që ka dalë një botë polare dhe me shumë fuqi që kanë interes të veçantë mbi Ballkan./abcnews.al