Regjistrimet e nxënësve në klasë të parë dhe të dhjetë do të bëhen nga platforma e-Albania.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi përmes një postimi në Facebook, njofton se ditën e sotme fillojnë regjistrimet për klasat e para, ndërsa më 12 korrik fillojnë regjistrimet për klasat e dhjeta (viti i parë gjimnaz).
Duke iu drejtuar prindërve dhe mësuesve Ministrja Kushi shprehet se nisur nga përvoja e vitit të kaluar për pilotimin e regjistrimit elektronik të nxënësve në shkollat e qyteteve qendër qarku, si dhe duke reflektuar të gjitha sugjerimet e ardhura për përmirësimin e procesit, këtë vit ia dolën që në të gjitha shkollat e vendit regjistrimi në klasën e parë dhe të dhjetë të bëhet nëpërmjet sistemit e-Albania.
“Të dashur prindër dhe mësues,
Nisur nga përvoja e vitit të kaluar për pilotimin e regjistrimit elektronik të nxënësve në shkollat e qyteteve qendër qarku, si dhe duke reflektuar të gjitha sugjerimet e ardhura nga ju për përmirësimin e procesit, këtë vit ia dolëm që në të gjitha shkollat e vendit regjistrimi në klasën e parë dhe të dhjetë të bëhet nëpërmjet sistemit e-Albania.
Prindërit do të mund ta regjistrojnë fëmijën në vetëm një minutë, pa pasur nevojë të dorëzojnë dokumente shtesë, të presin në radhë apo të harxhojnë kohë dhe energji.
Afatet e regjistrimit do të jenë si më poshtë:
Për klasat e para 4 – 17 korrik.
Për klasat e dhjeta 12 – 24 korrik.
Ne jemi të angazhuar maksimalisht që të gjitha shkollat tona të ofrojnë arsim cilësor, gjithëpërfshirës dhe të barabartë për nxënësit, si në qendër ashtu edhe në periferi të çdo bashkie. Prandaj e vlerësojmë shumë mirëkuptimin tuaj për të regjistruar fëmijët në bazë të vendbanimit.
Faleminderit të gjithëve për bashkëpunimin”, shkruan ministrja Kushi në Facebook.
Një vit më parë kjo mënyrë regjistrimi u aplikua vetëm në 182 shkolla, ndërsa këtë vit do të përfshijë të gjitha shkollat e vendit.
/Abcnews.al/