Mediet greke kanë publikuar dëshmitë e reja të qytetarëve që ishin prezent në masakrën e së shtunës në Greqi, ku mbetën të vrarë 3 shqiptarë.
“Është mrekulli që nuk pati më shumë viktima. Nga të shtënat menduam se se do kishte më shumë të vdekur”, ka thënë një dëshmitar okular për newsbomb.gr.
Një dëshmitar tjetër, i cili ndodhej pikërisht në vendngjarje, ka folur për Ertnews.gr për masakrën e ndodhur në qendër të Athinës dhe përshkruan me detaje atë që ka ndodhur.
“Ai ishte i tërbuar, gjuante pa pushim dhe në të gjitha drejtimet”, thotë dëshmitari për 48-vjeçarin Adil Tefa, i cili qëlloi fillimisht burrin që lëvizte me motor dhe ekzekutoi të atin e motoristit, i cili doli nga makina sapo pa djalin e tij të qëlluar.
Adil Tefa, ose Antonis Tefa u vra nga policia greke gjatë ndjekjes për ta arrestuar.
48-vjeçari nga Korça është i martuar, baba i një vajze dhe pronar i një servisi makinash.
Sipas dëshmitarit teksa 48-vjeçari ndodhej në makinë, u shfaqën dy automjete të tjera dhe një motor. Njëri prej tyre iu afrua dritares së 48-vjeçarit dhe e goditi me grusht.
Dëshmitari okular flet për tërbimin e Tefës i cili shprehet se “derisa ka hipur në makinën tjetër ka vazhduar të gjuajë në të gjitha drejtimet, pa llogaritur asgjë”.
Paniku i shkaktuar ishte i pritshëm pasi zona është e ngarkuar me shumë dyqane, por për mrekulli nuk pati më të vrarë./abcnews.al/