Një banesë në Peqin është grabitur në orët e paradites. Autorët sipas policisë janë një burrë dhe një grua. Të dy dyshohet se i kanë dhënë një lëng që paralizon kujtesën të zotit të shtëpisë dhe më pas kanë marrë nga banesa një shumë parash.
Një burrë dhe një grua grabitën një banesë në qytetin e Peqinit. Në momentin e ngjarjes ndodhej në shtëpi vetëm kryefamiljari.
Nga veprimet e kryera nga policia rezulton se në orët e paradites tek banesa e Skënder Beqirit ka shkuar një çift, me pretendimin se gruaja kishte nevoja personale. Ata dyshohet se i kanë dhënë për të pirë një shishe me lëng të moshuarit, duke i paralizuar kujtesën.
Më pas autorët kanë marrë paratë dhe janë larguar pa ushtruar dhunë ndaj 76-vjeçarit. I moshuari ndodhet në spital për ndihmë mjekësore si pasojë e pijes së konsumuar. Familjarët e tij pretendojnë se i zoti i shtëpisë është dhunuar dhe autorët u kanë grabitur kursimet e shumë viteve.
Grupi hetimor ka grumbulluar prova të cilat mund të ndihmojnë në identifikimin dhe kapjen e autorëve./ABC News Albania 24/7