Qeveria e Abazoviçit në rrezik

schedule09:27 - 1 Korrik, 2022

schedule 09:27 - 1 Korrik, 2022

Tradhti ndaj Malit të Zi, kapitullim i shtetit para Kishës Ortodokse Serbe, farsë… Këto janë disa vlerësimet e disa partive politike në Mal të Zi për një version të Marrëveshjes Themelore, që rregullon marrëdhëniet e shtetit të Malit të Zi me Kishën.

Reagimi më i ashpër ka qenë nga partitë që marrin pjesë në Qeverinë e Malit të Zi ose i ofrojnë asaj mbështetje politike në Kuvend: Partia Socialdemokrate (SDP) dhe Partia Demokratike e Socialistëve (DPS).

Kritikat janë përcjellë me paralajmërime se Qeveria, e zgjedhur dy muaj më parë, mund të humbasë mbështetjen në Kuvend, ku ka një shumicë prej vetëm tri votash.

Ajo që kundërshtohet me të madhe në propozim-tekstin e marrëveshjes së Qeverisë, është pjesa që e njeh subjektivitetin e Kishës Serbe në Mal të Zi gjashtë shekuj më herët se atë të Kishës në Serbi.

E njohur si Marrëveshja Themelore, ajo nënshkruhet me bashkësitë fetare për të rregulluar marrëdhëniet e ndërsjella pronësore dhe juridike.

Pas gati një dekade negociatash të pasuksesshme të qeverive të mëparshme, kryeministri aktual i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka premtuar nënshkrim të shpejtë të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.

SDP kërcënon të rrëzojë Qeverinë

Pas publikimit të propozim-tekstit të Marrëveshjes Themelore më 28 qershor, për të cilin thuhet se ka pasur dakordim midis Qeverisë dhe Kishës Ortodokse Serbe, pasuan reagime të furishme.

Draginja Vuksanoviç, deputete e SDP-së, partisë që ka dy ministra në Qeverinë e Abazoviçit, tha se projekt-marrëveshja është “farsë, tradhti dhe okupim”.

Nga kjo parti thanë jozyrtarisht për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se, nëse Qeveria e pranon këtë version të Marrëveshjes Themelore me Kishën, “Qeveria, në mënyrë të pashmangshme, do të bjerë dhe do të shpallen zgjedhje të reja parlamentare”.

Nga DPS-ja thanë se në tekst ka “qëllime dukshëm të këqija” ndaj Malit të Zi dhe shtuan se Qeveria është e obliguar që t’i mbrojë interesat kombëtare malazeze.

“Përndryshe, pasojat dihen”, tha Millosh Nikolliç, një zëdhënës i DPS-së.

Edhe Predrag Boshkoviç, nga kjo parti, tha se “dokumenti i përshtatur për Kishën Ortodokse Serbe” është përpjekje “për të vjedhur historinë dhe thesarin kulturor” të Malit të Zi dhe shtoi se ai nuk do të kalojë.

“Ka duruar ky shtet dhe pushtues më të mëdhenj. Do t’i durojë edhe këta”, tha ai.

Edhe pse DPS nuk është në Qeveri, kjo parti i jep mbështetje parlamentare Qeverisë së pakicës, të udhëhequr nga Abazoviç, e cila është votuar në fund të prillit të këtij viti.

Nga “Matica crnogorska”, institucion kulturor në Mal të Zi, thanë se me nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë, vendi “do të nënshkruante aktin e kapitullimit”.

Si u përgjigj Abazoviç?

“Përveçse kam dëgjuar që jam tradhtar, nuk kam dëgjuar ende se nene të caktuara të marrëveshjes nuk janë në rregull”, tha Abazoviç.

Ai tha se palët që janë të pakënaqura me tekstin e harmonizuar të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe, kanë qenë në dijeni për përmbajtjen e saj.

“Përfaqësuesit e DPS-së dhe SDP-së e kanë ditur tekstin dhe nuk kanë pasur asnjë kundërshtim për pjesën normative”, tha Abazoviç.

Por, ministri i Mbrojtjes, Rashko Konjeviç, nga SDP-ja, publikoi një letër drejtuar kabinetit të Abazoviçit, e cila tregon se kjo parti ka kundërshtuar projekt-marrëveshjen.
Nga DPS-ja thanë se kryeministri po mashtron opinionin dhe se kjo parti ka kundërshtime për marrëveshjen. /REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!